Tregu i sigurimeve merr pjesë në Konferencën Kombëtare për edukimin financiar

Tregu i sigurimeve merr pjesë në  Konferencën Kombëtare për edukimin financiar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi në Tiranë, më 24 maj 2018, Konferencën Kombëtare “Edukimi Financiar” me fokus kryesor studentët, të cilët prezantuan punime të ndryshme në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje dhe rëndësinë e edukimit financiar për zhvillimin e tyre.Në këtë veprimtari morën pjesë edhe përfaqësues të tregut të sigurimeve të jo-jetës, të jetës dhe pensioneve private, të tregut të kapitaleve, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, u ndal tek rëndësia e edukimit financiar në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe investitorëve, si edhe të zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve financiare jo-bankare.
Studentët e ardhur nga disa universitete të vendit, prezantuan punimet e tyre të ndarë në 2 sesione te veçanta – për tregun e sigurimeve dhe për tregun e kapitaleve.

Ndër temat kryesore të trajtuara në konferencë ishin:

Shpërblimi i sigurimit në rastet e sigurimit të pronës;

Sfidat për edukim financiar cilësor në arsimin parauniversitar;

Dixhitalizimi në tregun e sigurimeve;

Fondet e investimit në Shqipëri dhe krahasimi me fondet e investimit në botë;

Bursa dhe faktorët që ndikojnë në funksion të saj;

Zhvillimi i fondeve të pensioneve private vullnetare, etj.

Arbitri mbi mosmarrëveshjet financiare: një model i ri për mbrojtjen e investitorëve;

Vlerësimi i edukimit dhe sjelljes financiare në vendimmarrjen financiare;

Në përfundim të konferencës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Finanacare dhe shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, shpërndanë çmime të ndryshme për punimet më të mira.  

Anëtarët e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë nderuan me çmime punimet e mëposhtëme :

Grupi Eurosig – Insig nderoi me Çmim të Parë punimin  “ Shpërblimi i sigurimit në rastet e sigurimit të pronës “, paraqitur nga Enea Sheqi –  student në Master Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës;

Intersig – Vienna Insurance Group nderoi me Çmim të Dytë punimin “Dixhitalizimi në tregun e sigurimeve”, paraqitur nga Alisa Isufi – student në Master Shkencor dhe Msc.Ina Shehu – pedagoge në Fakultetin e Biznesit – Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Atlantik sh, Ansig sha dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë nderuan me Çmimin e Karieres punimin “Tregu i Sigurimeve”, paraqitur nga Akil Ukaj, Arlind Hoxhaj dhe Egerta Terziu – student në vitin e parë- Dega Biznes, “ Albanian University “, Tiranë.

Close Menu