Deklaratë Publike në lidhje me Javën Botërore të Investitorëve (WIW) 2018

 

DEKLARATË PËR SHTYP

Tiranë më 13 Nëntor 2018

 

Deklaratë Publike në lidhje me Javën Botërore të Investitorëve (WIW) 2018

Të nderuar Zonja /Zotërinj,

Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar është një organizëm i krijuar rishtazi, i cili mbështetet nga disa institucione financiare dhe organizata përfaqësuese të operatorëve të tregut, dhe që ka në qendër të aktivitetit të tij Edukimin Financiar dhe promovimin e tregjeve, produkteve dhe shërbimeve financiare bankare dhe jo-bankare. Edukimi i publikut dhe grupeve të interesit duhet të jetë një objektiv prioritar më qëllim mundësimin e një transparence sa më të lartë dhe reduktimin e rreziqeve që shoqërojnë procesin e pjesëmarrjes aktive në tregjet financiare nga këta aktorë.

Nisur nga shkalla e lartë e zhvillimit të tregjeve financiare e shoqëruar me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe inxhinierisë financiare, Edukimi Financiar është temë mjaft prioritare edhe në nivel ndërkombëtar. Një ndër këto organizma në nivel ndërkombëtar është Organizata Nderkombëtare e Rregullatorëve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO), e cila bën bashkë rregullatorët e tregut të titujve në të gjithë botën dhe njihet si diktuesi i standardeve globale të tregut të titujve. Në kuadër të punës së saj, IOSCO beson se evoluimi i vazhdueshëm i tregjeve financiare dhe i produkteve të investimeve, ka rritur nevojën e edukimit të investitorit dhe terminologjisë  financiare.

Në këtë kuadër IOSCO ka lancuar që në vitin 2017 konceptin e Javës Botërore të Investitorit (World Investor Week), e cila ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin e publikut lidhur me edukimin dhe mbrojtjen e investitorit si dhe përfshirjen e rregullatorëve të titujve në këto dy segmente kritike të tregut financiar.  

Java Botërore e Investitorit” e zhvilluar gjatë muajit tetor 2018 kishte si objektiv kryesor:

  • Shpërndarjen e mesazheve kyçe lidhur me edukimin, mbrojtjen e investitorit dhe terminologjinë financiare, dhe
  • Rritjen e mundësive të informimit të investitorit rreth tregjeve të titujve.

Nisur nga numri i lartë i pjesëmarrësve (rreth 84 shtete) në fushatën e mësipërme, Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE) mbështet fuqimisht objektivat kryesore të kësaj iniciative duke u bërë thirrje në radhë të parë rregullatorëve që licensojnë dhe mbikëqyrin tregun e titujve në Republikën e Shqipërisë që të nxisin:

  • Edukimin e Investitorit – pasi tregu i titujve në Republikën e Shqipërisë është ende në fazat e tij embrionale dhe për rrjedhojë nevoja për edukimin e investitorëve është mjaft thelbësore,
  • Mbrojtjen e Investitorëve – e cila lind si nevojë e mungesës së edukimit financiar.

Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE) u bën thirrje grupeve të interesit siç janë investitorët dhe operatorët e tregut financiar, të jenë të kujdesshëm në drejtim të sfidave më emergjente që ka industria e letrave me vlerë në mbarë botën.

Më konkretisht, në mbështetje edhe të mesazheve kyçe të propozuara nga IOSCO gjatë Javës Botërore të Investitorit (WIW) 2018, Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE) u tërheq vëmendjen investitorëve të konsumatorëve të produkteve dhe shërbimeve financiare të veprojnë si më poshtë vijon:

  1. Në këndvështrimin e Bazave të Investimit

Një investitor i zgjuar:

  • Verifikon nëse një profesionist investimesh është i licencuar;
  • Kryen kërkime rreth një produkti para se të investojë;
  • Vlerëson impaktin e tarifave kur zgjedh një investim;
  • Kupton që risku ekziston në të gjitha investimet;
  • I shmanget skemave “të të bërit i pasur shpejt” dhe “nuk mund të humbas”;
  • Njeh fuqinë e Interesit të Akumuluar;
  • Njeh rëndësinë e diversifikimit;
  • Planifikon dhe investon rreth nevojave dhe objektivave të tij të ardhshme;
  • Njeh përfitimet e investimeve të diversifikuara afatgjatë;
  1. Në këndvështrimin e IOSCO-së, Aseteve Dixhitate dhe Investimeve Online

Një investitor i zgjuar:

  • Kupton në përgjithësi riskun lidhur me ofertën fillestare të kripto-monedhave dhe kripto-aseteve dhe është i kujdesshëm në vendimmarrjen për të investuar në këto produkte;
  • Nuk harron rëndësinë e Due-Diligjencës kur konsideron investimin në ambientet digjitale;
  • Njeh shenjat paralajmëruese rreth skemave mashtruese të investimeve online;
  • Kurrë nuk investon bazuar vetëm nga opinionet e ndonjë të famshmi;
  • Është në dijeni që firmat më legjitime nuk i lejojnë klientët e tyre të përdorin kartat e kreditit për të kryer investime.

Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE)

Close Menu