Deklaratë e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë mbi ngjarjen e ndodhur në fasonerinë e Durrësit.

 

                                                   SHOQATA E SIGURUESVE TË SHQIPËRISË

                                                                                                                                   Tiranë, më 30 janar 2019

 

Deklaratë e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë mbi ngjarjen e ndodhur në fasonerinë e Durrësit.

Në një fasoneri në qytetin e Durrësit, u helmuan rreth 20 punonjëse, për shkak të një defekti në tubat e aspirimit të gazit. Fatkeqësisht kjo nuk është e vetmja ngjarje ku ndodhin aksidente në punë. Rikujtojmë se brenda 1 viti, vetëm në Durrës ky është rasti i tretë ku punonjëset e fasonerisë dëmtohen si pasojë e ngjarjeve aksidentale në punë. Në Nëntor të 2018-ës, 40 punonjëse të një tjetër fasonerie në Durrës përfunduan në spital si pasojë e rrjedhjes së gazit nga tubat e kondicionerëve.

Fatkeqësitë dhe ngjarjet aksidentale nuk mund të parandalohen, por ajo që mund të parandalohet është dëmi financiar që i shkaktohet punonjësve, apo edhe vetë biznesit.

Pyetja që ne si Shoqatë e Siguruesve të Shqipërisë shtrojmë është: A janë të mbrojtura këta punonjëse që u dëmtuan sot në fasonerinë e Durrësit? A kanë ata sigurim shëndetësor dhe paketa kompensimi financiar në rast aksidenti në punë?

Po punëdhënësit, a janë të pajisur me sigurim përgjegjësie për të tilla aksidente që ndodhin në punë?

A ekziston një legjislacion që mbron dhe kompenson financiarisht punonjësit dhe bizneset e dëmtuar në rast ngjarjesh aksidentale? Nëse po, në ç’masë legjislacioni ynë i mbron dhe kompenson ata?

Realiteti është që punëdhënësit i shmangen sigurimit të përgjegjësisë për punonjësit e tyre dhe shpesh shkelin edhe ligjet, sepse edhe në rastet kur ligji e parashikon që punonjësit duhet të pajisen me sigurim nga aksidentet në punë apo paketa shëndetësore të veçanta, punëdhënësit nuk ua ofrojnë këtë punonjësve të tyre.

Nga ana tjetër edhe vetë punonjësit janë indiferentë për tu siguruar individualisht.

Ngjarje si ajo e sotmja në Durrës fatkeqësisht nuk janë të izoluara, por janë kthyer në fenomen. Prandaj dhe ky fenomen kërkon domosdoshmërisht vëmendjen dhe ndërhyrjen urgjente të ministrive përkatëse, të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë për të kompletuar kuadrin ligjor dhe rregullativ drejt niveleve bashkëkohore, për të mbuluar risqet e ndryshme që vijnë si pasojë e aksidenteve në punë.

Miratimi i një ligji specifik për Sigurimin e Përgjegjësive, do të bëjë të mundur garantimin e kompensimit financiar të të dëmtuarëve në rastet e aksidenteve dhe të fatkeqësive në punë.

Po ashtu, nga institucionet përkatëse kërkohet rritja e efikasitetit në mbikqyrjen e bizneseve  që të zbatojnë ligjet dhe rregullat në fuqi të Shtetit Shqiptar.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, e ndërgjegjshme për rolin e saj edukativ, do të shtojë përpjekjet e saj për edukimin e konsumatorëve, e veçanërisht të brezit të ri, me njohuritë dhe praktikat më të mira siguruese të tregut.

Close Menu