Mesazh i Kryetares

 

I nderuar lexues!

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë është themeluar në vitin 2003 si një bashkim vullnetar i anëtarëve të saj që janë të gjitha shoqëritë e sigurimit të jo-jetës.

Si një shoqatë jo-fitimprurëse ajo përpiqet të promovojë standardet më të mira të anëtarëve të saj për zhvillimin, stabilitetin dhe efektshmërinë e industrisë shqiptare të sigurimeve.

Tregu i sigurimeve në përgjithësi dhe ai i jo-jetës në veçanti kanë njohur zhvillime të rëndësishme nga viti në vit, duke ndjekur dhe kontribuar realisht në zhvillimin e ekonomisë dhe të tregut financiar në Shqipëri.

Dinamika e zhvillimit të tregut dhe perspektivat e tij kanë tërhequr dhe bindur investitorët e huaj që të jenë pjesë aktive e tij. Prej disa vitesh, 2 emra ndërkombëtarisht të njohur në fushën e sigurimeve – Vienna Insurance Group dhe Uniqa Group – kanë investuar në Shqipëri dhe sot zotërojnë rreth 50 % të kapitalit të tregut të sigurimeve. Prezenca e kapitalit të huaj ka ndihmuar në përmirësimin e tregut, rritjen e treguesve dhe lancimin e produkteve të reja.

Pavarësisht zhvillimit dhe arritjeve të deritanishme, tregu shqiptar i sigurimeve, për të arritur standartet europiane duhet të përballet me një sërë sfidash në të ardhmen, ku më kryesorja është edukimi dhe ndërgjegjësimi i individeve dhe bizneseve për shtrirjen dhe zgjerimin e sigurimeve, sidomos të atyre vullnetare.

Sot, vlera mesatare e pagesave për sigurimet është rreth 35 euro/vit per banor, ndërkohë që vendet e rajonit dhe Europa e kanë disa herë më të lartë. Po kështu, në mbi 90 % të sigurimeve e zënë sigurimet e jo-jetës dhe brenda këtij grupi mbi 70 % e përbëjnë sigurimet motorrike, raporte këto shumë larg standarteve europiane.

E ndërgjegjëshme për misionin e saj fisnik, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë do të vazhdojë të kontribuojë dhe mbështesë fuqimisht realizimin e objektivave strategjik të tregut të sigurimeve.

Duke ju falenderuar për mbështetjen,

Me respekt,

Fitnete Sulaj
Kryetare e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë

Close Menu