Ligji i ri për sigurimin e makinave – Nuk ka bonus-malus të detyrueshëm

Ligji i ri për sigurimin e makinave – Nuk ka bonus-malus të detyrueshëm

Ministria e Financave dhe Ekonomisë duket se i ka dhënë fund telenovelës së miratimit të një ligji të ri për sigurimet e detyrueshme motorike. Pas më shumë se vjetësh dhe disa draftesh të hartuara nga Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare, më në fund projektligji është hedhur për konsultim publik, duke paraprirë procedurat për miratimin e tij.

Megjithatë, shumica e propozimeve me rëndësi të AMF-së nuk janë reflektuar në ligj, çka reflekton, me sa duket, ndikimin e fortë të lobit të siguruesve.

Varianti që propozon qeveria ka eliminuar një nga risitë më të rëndësishme që propozonte AMF-ja në këtë projektligj, aplikimin e detyrueshëm të sistemit bonus-malus. Aplikimi i këtij sistemi parashikohet si një mundësi në ligjin e ri, por nuk do të jetë i detyrueshëm dhe mund të përdoret vetëm nëse shoqëria e sigurimit e sheh të arsyeshme. AMF tentoi ta vinte në zbatim sistemin bonus-malus përmes akteve nënligjore, por në momentin e zbatimit kompanitë e sigurimeve u tërhoqën dhe refuzuan ta zbatonin marrëveshjen e arritur një vit më parë.

Gjithashtu, limitet e përgjegjësive që mbulohen janë shumë më të ulëta se ato që kishte propozuar AMF-ja. Nëse AMF-ja propozonte që shuma minimale e përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident të ishte 50 milionë lekë, Ministria e Financave në projektligjin e saj e ka ulur këtë shumë në 22 milionë lekë. Gjithashtu, për dëmet e shkaktuara nga një ngjarje sigurimi kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet do të jetë 55 milionë lekë, nga 135 milionë lekë që kishte propozuar AMF-ja. Në rastin e autobusëve dhe kamionëve, kufiri i dëmit do të jetë 150 milionë lekë, nga 270 milionë lekë që kishte propozuar AMF-ja. Siguruesit kishin kundërshtuar ashpër limitet e propozuara nga AMF-ja, me argumentin se limite kaq të larta mund të përballoheshin vetëm duke shtrenjtuar në masë të madhe primet e sigurimit.

Projektligji gjithashtu propozon një tavan për komisionet e ndërmjetësimit të agjentëve në 12% të primit të shkruar bruto. Komisionet e ndërmjetësimit aktualisht arrijnë nivele shumë më të lartë, ndonjëherë edhe më shumë se 20%. Komisionet e agjentëve janë një nga mekanizmat kryesorë me të cilin kompanitë e sigurimeve konkurrojnë me njëra-tjetrën në shitjen e TPL-ve.

Ersuin Shehu / SCAN