Fushata anti- informalitet, për “xhepin” e shtetit apo për konsumatorin?!
Nga muaji korrik, qeveria ka nisur fushatën e radhës anti-informalitet, e fokusuar fillimisht në sektorin e shërbimeve dhe më tej e zgjeruar edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, si tregtimi i karburanteve, i gazit, sektori i ndërtimit, etj. Sic rezulton deri tani, kjo fushatë ka si qëllim kryesor reduktimin e evazionit fiskal, pra kontrollin e ligjshmërisë së bizneseve, deklarimit të xhiros reale, lëshimit të kuponit tatimor apo edhe sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor të punonjësve .
Në një muaj e gjysmë fushatë anti-informalitet, janë kapur në të zezë nga Inspektorati Shtetëror i Punës 1245 punonjës. Por ndërsa fushata është kanalizuar vetëm ne vjeljen e të ardhurave, në përbërje të grupeve kontrolluese nuk ka asnjë përfaqësues që të ketë detyrim ligjor që të “mendojë” për konsumatorët apo për turistët, duke qenë se kontrollet më të mëdha kanë qenë në këtë sektor.
Ndërsa deri në mesin e muajit Gusht, kanë kaluar në “lupën” e hetimit tatimor mbi 1700 subjekte dhe afro 40 për qind prej tyre janë kapur në evazion fiskal, nuk ka asnjë të dhënë sa i takon sigurimit të këtyre bizneseve për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, pra konsumatorëve.
Pra çfarë ndodh në rastet kur një turist helmohet apo aksidentohet brenda ambienteve akomoduese? Apo bie pre e një zjarri apo shpërthimi të një bombule gazi? Këtë nuk di ta thotë as qeveria dhe as Ministria e Financave, për shkak se ky element as nuk është marrë në konsideratë për t’u bërë pjesë e këtij plani operacional, duke e bërë atë praktikisht të cunguar.
Nëse klienti ose vizitori dëmtohet në ambientet e një biznesi ai mund të kërkojë dëmshpërblim për dëmin që i ka ndodhur dhe biznesi është i detyruar të dëmshpërblejë. Por përpos kësaj, sigurimi i përgjegjësive ndaj palëve të treta aktualisht është i detyrueshëm vetëm për përdorimin e bombolave të gazit dhe operatorët turistikë, të cilët gjithashtu janë jashtë rrezes së këtij kontrolli. Ndërsa për pjesën tjetër të bizneseve që ofrojnë shërbime dhe që duhet ta kenë të detyrueshëm përgjegjësinë ndaj klientëve, sigurimi është ende vullnetar dhe qeveria nuk ka menduar asnjë iniciativë ligjore që del përtej rritjes së të ardhurave dhe synon një mbrojtje reale të konsumatorëve.
Ndërkaq, pavarësisht mungesës së vëmendjes së qeverisë për t’i detyruar bizneset që të jenë të përgjegjshëm ndaj klientëve, kompanitë e sigurimeve ofrojnë një sërë paketash specifike që ua lehtësojnë jetën sipërmarrjeve në raste të përballjeve me situata të tilla.
Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta është një produkt standard i dizenjuar posaçërisht për të ofruar një mbulim në lidhje me kërkesat për dëmshpërblim nga publiku, për personat që mund të pësojnë dëme si pasojë e neglizhencës ose gabimeve gjatë ushtrimit të aktivitetit të biznesit të siguruar ose të punonjësve të tij. Ky lloj sigurimi ofron dëmshpërblim sipas vlerës së përgjegjësisë së tij ligjore në lidhje me dëmin e ndodhur, kryesisht për dëme shëndetësore (përfshi vdekjen, sëmundjen ose plagosjen) ndaj personit apo dëmtime të pasurisë së personave të tretë.
Megjithatë, ka një ndërgjegjësim shumë të ulët të bizneseve në këtë drejtim të cilët kursejnë vlera minimale për sigurimin dhe detyrohen të paguajnë shumëfish më shumë kur përballen me ngjarje të paparashikuara.
Në këtë situatë, institucioni rregullator duhet të jetë qeveria, e cila ashtu sikurse mendon për sigurimin në skemën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore ( që sërish në thelb ka rritjen e të ardhurave në buxhet për përballimin e shpenzimeve), të hedhë shikimin dhe të bëjë të detyrueshëm edhe sigurimin e përgjegjësive për palët e treta, për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve.