Mijëra automjete në qarkullim pa siguracion! Policia “lumë” gjobash, mbi 23.8 mln vetëm për 6 mujorin e parë të 2019

Mijëra automjete në qarkullim pa siguracion! Policia “lumë” gjobash, mbi 23.8 mln vetëm për 6 mujorin e parë të 2019

Mijëra automjete në qarkullim pa siguracion

Edhe pse është një sigurim i detyrueshëm më ligj, mijëra drejtues automjetesh vazhdojnë të qarkullojnë në vend pa kryer siguracionin.

Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Shtetit. Vetëm në 6- mujorin e parë të këtij viti janë gjobitur 1616 automjete pasi janë kapur në qarkullim pa siguracion.

Nga kjo shumë 1111 prej tyre kanë kryer pagesën e ndëshkimit ,që në total shkon në afro 23.8 mln vetëm për Janar – Qershor.

Sa i përket vitit që shkoi, sipas të dhënave të siguruara nga Policia. 2765 drejtues automjetesh u gjobitën pasi qarkullonin pa kryer siguracionin e makinës.

 Për vitin 2018, gjobat e paguara në total për këtë kategori ishte rreth 52,5 mln lekë.

Ky grup qytetarësh i shmanget siguracionit që kushton rreth 18 mijë lekë në vit dhe preferojnë të paguajnë gjoba. Gjithashtu dhe të udhëtojnë pa e siguruar automjetin duke marë përsipër riskun e madh që mund t’i lindë nga ndonjë aksident i mundshëm.

Por çfarë ndodh për një automjet të pasiguruar që kryen një aksident?

 Drejtues të Kompanive të Sigurimit sqarojnë :

“Të gjithë personat që kanë një automjet në pronësi duhet të kryejnë siguracionin TPL , sepse në rast se nuk sigurohen ata marrin masa administrative nga policia.

Më e pakta është gjoba që merret direkt sapo identifikohet nga policia me rreth 20 mijë lekë.

Nëse ky person ( me automjet të pasiguruar) i shkakton dëm një mjeti tjetër të siguruar (dëm i cili paguhet nga kompania e sigurimit). Atëhere këtë dëm detyrohet ta paguajë vetë personi që është i pasiguruar.

 Me e keqja e të gjithë kësaj është nëse ndodh një aksident me pasoja në jetë njerëzish ( pra dëmton mjetin dhe njerëz, me plagosje apo humbje jete) . Të gjitha këto shpenzime i ngarkohen personit që është i pa siguruar.” Ekspertë të sigurimeve bëjnë thirrje për ndërgjegjësim të qytetarëve që mos të udhëtojnë me makina pa siguracion pasi pasojat financiare mund të jenë tepër të larta.

Mijëra automjete në qarkullim pa siguracion

D.Shkembi