Ne nuk jemi të barabartë, pse duhet të paguajmë njësoj?
Anisa B.
Ne nuk jemi të barabartë. Une dhe ti, nuk jemi të barabartë, atëherë pse duhet të paguajmë njësoj?
A nuk është rruga më e drejtë që ne të trajtohemi sipas “prerjes” që kemi dhe sipas kujdesit të treguar ?
Ky është dhe qëllimi i sistemit të quajtur “bonus-malus”, një inicativë e përfolur prej vitesh, por që më fund i është hapur “drita jeshile” duke filluar nga 1 Prilli i ketij viti me efekte financiare që fillojnë në Prill 2020. Iniciativë, që e thënë në zhargonin e përditshëm, “i jep hakun të zotit”.
Bonus -malus është një praktikë e njohur dhe përdorur gjerësisht në vendet europiane dhe më gjerë, ku drejtuesit e mjeteve paguajnë siguracion sipas historikut të dëmeve që kanë. “Bonus” është përfitimi që kanë klientët pa dëme dhe “Malus” është “ndëshkimi” i klientëve që bëjnë dëme. Nëse një drejtues automjeti ka shkaktuar apo pësuar disa aksidente, ai duhet të paguajë më shumë pasi vleresohet si drejtues mjeti me rrisk të lartë, dhe nëse një tjeter ka një historik të pastër, duhet të paguajë më pak, sepse është me i sigurtë në rrugë, madje do të shperbelehet për këtë me ulje të primit të sigurimit, si një formë inkurajimi e mëtejshme.
Aktualisht drejtuesit e automjeteve që nuk e “konsumojnë” siguracionin e blerë për shkak të kujdesit te lartë, paguajnë në një farë mënyre edhe për ata që e përdorin atë, përpos sigurisë që krijojnë në vetvete. Po ashtu, një drejtues i ri , është e logjikshme që të paguajë më shumë, pasi është potencial për burim aksidenti.
Cilat janë efektet?
Nëse siguracioni do të rëndojë më shumë tek “rebelët” e rrugëve, sigurisht që do të rritet kujdesi dhe do të ulet numri i aksidenteve. Madje, kompanitë e sigurimeve mund të refuzojnë të shesin policë sigurimi për ata që kanë “biografi” të keqe në regjistrin e aksidenteve.
Por si funksionon sistemi ?
Në vitin e parë, të gjithe tarifohen me prim bazë normal. Ndërsa është viti i dytë ai që bën diferencimin. Ata që nuk kanë bërë dëm, shpërblehen me 6 për qind ulje primi, ndërsa ata që kanë shkaktuar dëme, paguajnë 30 për qind më shumë. Drejtuesit e mjeteve që kanë bërë dy apo më shumë aksidente, paguajnë dyfishin e vlerës së siguracionit. Nëse një drejtues mjeti në qarkullim nuk kryen dëme për 12 vite rresht, atëherë ai do të paguajë vetëm gjysmën e primit të sigurimit. Kështu, formula është e qartë, ai që dëmton më shumë, paguan më shumë dhe ai që e mban historikun e pastër, paguan më pak.
Në fund qëllimi është i njëjtë, rritje kujdesi, më pak aksidente, më pak pasoja fatale dhe secili merr atë që meriton.