Shqiptarët hezitojnë të sigurojnë shëndetin/ Kompanitë raportojnë ulje të paketave të aksidenteve dhe paketave të jetës

Shqiptarët hezitojnë të sigurojnë shëndetin/ Kompanitë raportojnë ulje të paketave të aksidenteve dhe paketave të jetës

Ndërsa pritej të ndodhte e kundërta për shkak të tërmetit e më pas Pandemisë, shqiptarët kanë hezituar të sigurojnë jetën e shëndetin përgjatë vitit 2020. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti I Mbikqyrjes Financiare, të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2020, arritën në rreth 941 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 13.54% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2019. I njëjti fenomen është vërejtur edhe me Primet nga sigurimet e Jetës, të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2020, arritën rreth 1 miliardë lekë, ose 6.14% më pak se në periudhën janar-nëntor 2019.

Shkak është bërë rënia e aktivitetit ekonomik në përgjithësi, por edhe  hezitimi I qytetarëve për t’ju drejtuar paketave të sigurimit të jetës e shëndetit. Ndërkohë që nga ana e tyre kompanitë e sigurimeve duket se nuk kanë qenë shumë kërkuese në ofrimin e paketave joshëse për klientët.  Rënia e treguesve lidhet edhe me uljen e aktivitetit në tregun e sigurimeve në përgjithësi, sis a I përket volumit të arkëtimeve ashtu edhe volumit të kontratave të lidhura.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor 2020 kapën vlerën mbi 14,7 miliardë lekë, ose 5.51% më pak se në periudhën janar-nëntor 2019. Gjatë periudhës janar-nëntor 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 857,503 me një ulje prej 29.20% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2019.

Lorenc Rabeta/SCAN