Sigurimi i fermerëve, a mund të bëhet dhe si?

Sigurimi i fermerëve, a mund të bëhet dhe si?

Në muajin shtator, fermerët e zonës së Konispolit në Sarandë u përballën me një dëm të madh ekonomik, për shkak të një stuhie breshëri. Sipas deklarimeve të tyre në media, rreth 30% e prodhimit të agrumeve u dëmtua, ndërsa tek ullinjtë, dëmi vlerësohet edhe më i madh. Breshëri i shtatorit ishte shembulli i fundit i rreziqeve të mëdha ndaj të cilave ekspozohet sektori bujqësor dhe që shkaktojnë periodikisht dëme. Kur nuk është breshëri, mund të jetë përmbytja, ngrica, thatësira apo zjarri. Arsyeja pse fermerët shqiptarë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dëmit ekonomik është mungesa, thuajse totale, e sigurimeve në bujqësi dhe më tej, në të gjithë zinxhirin e vlerës ushqimore. Sigurimi i prodhimit bujqësor është një çështje e ndërlikuar. Aktualisht, produktet e sigurimit në bujqësi pothuajse nuk ekzistojnë.

Nga Ersuin Shehu

 

Siguruesit: Bujqësia ka rreziqe shumë të larta, fermerët nuk e përballojnë dot primin

Edvin Libohova, sekretar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, thotë për revistën “Monitor” se bujqësia është një sektor me rrezik shumë të madh, sepse është e ekspozuar ndaj faktorit natyror dhe faktorëve të tjerë, si sëmundje, parazitë, që e bëjnë këtë sektor shumë të brishtë dhe të ndjeshëm ndaj rreziqeve.

“Nëse ndodh një përmbytje, thatësirë, ngricë, etj., dëmi mund të jetë shumë i madh. Duke qenë sektor me rrezik të lartë, edhe primi i sigurimit duhet të jetë i lartë. Kjo nuk është përvoja jonë, por kjo është përvoja e të gjitha vendeve të tjera, që operojnë me sigurimet në bujqësi. Nga informacionet që kemi, primi i sigurimeve në bujqësi shkon midis 3% dhe 8% e vlerës së dëmit të mbuluar. Ky prim është shumë më i lartë krahasuar me sektorët e tjerë të sigurimit. Me kosto kaq të larta, fermerët është e vështirë të sigurohen vullnetarisht, ndaj ky treg është pothuajse 0” – thotë z.Libohova.

Nga ana tjetër, sigurimi është i lidhur edhe me formalizimin e fermës. Ne e dimë që vetëm rreth 10% e fermave janë të formalizuara, që të hyjnë në kanalet e përfitimit të lehtësive dhe bonuseve.
Deri tani, sigurimi i fermerëve është kufizuar në projekte pilot bashkëpunimi mes institucioneve të kredidhënies dhe kompanive të sigurimit. Por, rezultatet e projektit e bënë shpejt të qartë se sigurimi në këtë sektor është i vështirë dhe sfidues.

“Ka pasur disa përvoja në vitet e shkuara, që një nga kompanitë siguroi rreth 750 sera nëpërmjet bashkëpunimit me një shoqëri kursim-krediti. Në vijim, pati edhe dëme që kompania e sigurimit i mbuloi, rreth 30 dëme në mos gaboj. Kur siguruesi bëri bilancin, produkti rezultoi me humbje dhe ai nuk mund të vazhdonte, nëse nuk rritej primi. Përveç kësaj, primi është i lidhur shumë edhe me numrat. Sa më shumë raste të jenë të siguruara, aq më shumë do të ulet primi. Nëse do të ketë subvencionim dhe do të rritet vëmendja, tregu i sigurimeve është gati për t’u bërë pjesë këtyre skemave dhe për të gjetur risigurues të leverdishëm. Por, duhet filluar diku” – thotë z. Libohova.
Sipas siguruesve, e vetmja zgjidhje për të futur fermerët në skema të sigurimeve do të jetë subvencionimi i primeve nga shteti.

“Nga ajo që kemi konsultuar me ekspertët tanë dhe me ekspertë të jashtëm të fushës, duhet që shteti të financojë primin e sigurimit, të paktën pjesërisht. Ka pasur një vendim qeverie që parashikonte një bashkëfinancim 50% të ritmit nga shteti, nëse fermeri paguante pjesën tjetër. Në atë rast, skema nuk funksionoi. Fondi ishte i vogël, por ndoshta mungonte edhe një përgatitje strukturore. Ndoshta duhej një bashkëpunim midis Ministrisë së Bujqësisë, tregut të sigurimeve dhe fermerëve” – shprehet z. Libohova.

Sipas tij, politikat vazhdojnë të ushqejnë mentalitetin që në rast fatkeqësie, paguan shteti. “Kjo nuk është e drejtë moralisht, sepse barra bie mbi taksapaguesit, por edhe jep një mesazh të gabuar, duke mos nxitur krijimin e një kulture sigurimi. Pra, duhet thyer koncepti që shteti mendon për të gjitha, por njëkohësisht duke nxitur kulturën e sigurimit, përmes subvencionimit të primit”, – thotë ai.

Z. Libohova sugjeron që, nëse do të alokoheshin në buxhet 500 milionë lekë në vit për subvencionimin e primit në bujqësi, sipas skemës së mëposhtme, mund të siguroheshin 25 mijë fermerë të formalizuar në vit.

 

Një model skeme financimi:
Kufiri i përgjegjësisë deri në 500 mijë lekë
Primi i sigurimit 5%: 25 mijë lekë
Financimi i primit: 20% (5 mijë lekë) fermeri/ 80% (20 mijë lekë) buxheti

 

Pesha e bujqësisë në ekonomi po bie

Pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është në rënie prej katër vitesh me radhë. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2018, kontributi i bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto zbriti në 21.08%. Ky është niveli më i ulët që prej vitit 2011.

Megjithëse bujqësia është ndër sektorët ku politika është mburrur më shpesh për arritje në vitet e fundit, fakt është se ajo po rritet me ritme më të ulëta se pjesa tjetër e ekonomisë. Ky sektor vuan nga parcelizimi, konkurrueshmëria e ulët dhe probleme të thella strukturore, që e bëjnë të vështirë mbështetjen me financime. Zhvillimi i bujqësisë është tentuar të nxitet me skema vjetore mbështetjeje, por që, po të shohim rritjen e sektorit në vitet e fundit, nuk kanë dhënë rezultate shumë të kënaqshme.

Për vitin 2020, i gjithë buxheti i alokuar për bujqësinë dhe zhvillimin rural ishte 10.8 miliardë lekë (mbështetur në aktin normativ të muajit korrik). Nga këto, 6.6 miliardë lekë ishin investime, ndërsa mbështetja direkte për prodhuesit arriti në afërsisht 4 miliardë lekë.

Sipas projektbuxhetit 2021, buxheti për bujqësinë do të arrijë rreth 13 miliardë lekë, nga të cilat 7.6 miliardë lekë do të jenë investime dhe 5.2 miliardë lekë mbështetje direkte. Vitin e ardhshëm pritet që shpenzimet për bujqësinë ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore të rriten në 3.8%, nga 3.2% që parashikohen në buxhetin e vitit 2020.

Vitin e ardhshëm, buxheti i bujqësisë do të përbëjë 2.21% të shpenzimeve buxhetore. Nëse do të realizohet, ky do të jetë shpenzimi më i lartë buxhetor për bujqësinë që nga viti 2016. Megjithatë, shifrat nuk janë mbresëlënëse, po të kemi parasysh se buxheti shpenzon pak më shumë se 100 milionë euro për një sektor që kontribuon me mbi 3.5 miliardë euro në vit në prodhimin kombëtar.

 

BURIMI: INSTAT

 

Kredia për bujqësinë ka prekur vlera minimale

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për bujqësinë në fund të gushtit kishte vlerën e 4.7 miliardë lekëve, në rënie vjetore me 3.4%. Kjo është vlera më e ulët e portofolit të kredisë që prej majit 2018. Rënia e kredisë për bujqësinë është edhe më e theksuar në terma relativë. Aktualisht, ajo përbën vetëm 1.32% të kredisë totale për biznesin, niveli më i ulët në të paktën katër vitet e fundit.

Shifrat e mësipërme tregojnë se bujqësia vazhdon të jetë e nënkredituar, po të kemi parasysh se ky sektor ka një prodhim kombëtar vjetor prej më shumë se 420 miliardë lekësh.
Credins është një ndër bankat e pakta që ka tentuar të eksplorojë sektorin e bujqësisë në dekadën e fundit. Nada Vokshi, Drejtore e Departamentit të Bizneseve Alternative, thotë për revistën “Monitor” se kreditimi i bujqësisë është vlerësuar gjithnjë me risk të lartë për institucionet kredidhënëse.

“Pavarësisht formalizimit të aktivitetit të fermerëve vitet e fundit, ky sektor i ekonomisë mbetet ende i pashërbyer mjaftueshëm me shërbime financiare, për shkak të rreziqeve të mëdha me të cilat përballet sektori. Krahas rreziqeve natyrore që kanosin prodhimtarinë, luhatja e çmimeve të prodhimeve bujqësore në vend dhe rajon është një tjetër risk më të cilin përballen fermerët shqiptarë. Nuk janë të pakta rastet në të cilat prodhimi i fermerëve është shitur nën kosto ose ka mbetur pa shitur, për shkak të çmimeve tepër konkurruese të produktit të importit” – thotë zj.Vokshi.

Ajo pranon se institucionet e mikrofinancës, për shkak të kushteve disi më lehtësuese, kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në kreditimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Ndërsa agrobizneset e mëdha dhe të konsoliduara janë klientë të bankave tregtare, fermerët e vegjël, pa kolaterale e pa garanci të tjera janë përgjithësisht klientë të institucioneve mikrofinanciare. Në reflektim të risqeve të mëdha të sektorit, bujqësia financohet me normat më të larta të interesit krahasuar me degë të tjera të ekonomisë.

“Problemet më të mëdha me kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentizimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë mungesa e ekonomive të shkallës dhe mungesa e koperimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave etj.” – shprehet zj.Vokshi.

 

 

Sigurimi mund të ndihmojë rritjen e kreditimit të fermerëve

Nga përvoja e Credins Bank, siguruesit i ofrojnë produktet e sigurimit në bujqësi në raste sporadike dhe përgjithësisht, ofrojnë sigurimet që konsiderohen me risqe më të ulëta të kësaj kategorie, të tilla si sigurimi i serave ose i gjësë së gjallë.

Zonja Vokshi mendon se arsyet kryesore përse shoqëritë e sigurimit nuk i ofrojnë gjerësisht këto produkte janë risku i lartë i ndodhjes së dukurive natyrore; mungesa e ekspertëve që mund të realizojnë vlerësime të besueshme të vlerës së objekteve të sigurueshme, rreziqeve që u kanosen atyre dhe dëmeve; mungesa e kërkesës së gjerë ose numrave të mëdhenj. Në mungesë të një portofoli sigurimesh të konsoliduar, kërkesat individuale dhe sporadike për sigurim të kësaj natyre vlerësohen me risk të lartë nga shoqëritë e sigurimit; sektori gjithashtu paraqet rrezik të lartë të abuzimeve nga ana e të siguruarve dhe mungesës së kujdesit të duhur për objektin e siguruar etj.

“Fermerët dhe bizneset në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë përballen me një sërë rreziqesh që kërcënojnë prodhimtarinë, gjënë e gjallë dhe infrastrukturat mbështetëse të fermave. Dukuri natyrore si breshëri, ngricat, përmbytjet, stuhitë, thatësirat e temperaturat ekstreme rrezikojnë jo vetëm prodhimin bujqësor të sezonit por në rastin fermave të vogla, këto dukuri mund të shkaktojnë edhe falimentimin total të tyre. Vërshimet e insekteve, sëmundjet e ndryshme të bimëve dhe ato të bagëtive, janë rreziqe po aq kërcënuese dhe të rëndësishme sa dukuritë natyrore të përmendura më sipër” – thotë zj.Vokshi.

Sipas saj, sigurimi në bujqësi e blegtori do të shmangte problemet financiare me të cilat do të përballej fermeri, apo subjekti në rast se do të humbiste pjesërisht, ose totalisht prodhimin e tij, bagëtitë ose pasuri të tjera të fermave: një fermer i siguruar ka garantuar stabilitetin financiar nëpërmjet transferimit të riskut tek siguruesi.

“Një institucion kredidhënës vlerëson me kujdes të gjitha risqet e biznesit kredikërkues, para se ta kreditojë atë. Natyrshëm, një fermer i pasiguruar do të vlerësohet me risk të lartë nga bankat, apo institucionet kredidhënëse, ndaj këto të fundit mund të vendosin ta kreditojnë atë me norma interesi ndjeshëm më të larta se bizneset e kategorive të tjera, ose mund të vendosin të mos e kreditojnë fare, atë në rast të pasigurive të mëdha.

Analiza e projeksioneve financiare të klientit dhe garancitë e tij janë elementet kryesore mbi të cilët mbështetet vendimi për kreditimin ose jo të klientëve. Fermeri i siguruar ka garantuar flukset e tij të ardhshme monetare, ndaj nuk pritet të goditet nga kriza likuiditeti e financiare në të ardhmen, duke u kthyer kështu në një klient me potencial të lartë kreditimi nga institucionet kredidhënëse” – thotë zj.Vokshi.

Sipas saj, sigurimi i bujqësisë dhe blegtorisë do të ishte nxitës i rëndësishëm i kreditimit të këtyre sektorëve të ekonomisë pasi institucionet kredidhënëse do të ishin shumë më të mbrojtura nëse do të kreditonin klientë që kanë garantuar stabilitetin financiar përmes policave të sigurimit.

Në këndvështrimin e saj, sigurimi do të lehtësonte më tepër kreditë afatshkurtra deri në afatmesme (nga një deri në tre vite), kreditë pa kolaterale, apo kreditë për kapital qarkullues. Ndërkohë, fermerët që dëshirojnë të financohen për qëllime investimesh të mëdha përgjithësisht kërkohet të kenë kolaterale me vlerë të konsiderueshme dhe historik biznesi pozitiv, ndaj sigurimi në këto raste, pavarësisht se do të ishte një element favorizues për kredidhënie, nuk do të ishte i mjaftueshëm për garantimin e kreditimit të biznesit.

 

KASH: Duhet ligj për sigurimin në të gjithë zinxhirin ushqimor

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, shprehet se Shqipëria ka nevojë për një plan të gjerë të sigurimit në të gjithë zinxhirin agroushqimor. Mundësisht, sipas tij, duhet që kjo skemë të rregullohet me ligj të veçantë. E vetmja mënyrë për të ngritur një skemë funksionale, sipas z. Rrapaj, është përfshirja e njëkohshme e disa palëve interesi, duke filluar nga fermerët e agropërpunuesit, shteti, donatorët dhe kompanitë e sigurimeve.

“Një zgjidhje ku secila palë të japë kontribut dhe të marrë përsipër një pjesë të rrezikut, është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një skemë efikase dhe të qëndrueshme në kohë. Nuk është e mjaftueshme të sigurohet vetëm prodhimi i fermerëve, sidomos nëse flasim për zona apo prodhime të veçanta. Dëmi ekonomik do të përcillej edhe në hallkat e tjera të zinxhirit të prodhimit. Një skemë sigurimi duhet të përfshijë edhe pikat e grumbullimit apo subjektet e agropërpunuese.

Aktualisht, Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor për sigurimin në sektorin ushqimor, qoftë edhe për dëmet që produktet ushqimore mund të shkaktojnë te konsumatorët, në rastet kur mund të jenë të skaduara apo të infektuara me mikroorganizma patogjenë.

Edhe zonja Vokshi nga Credins Bank, mendon se sigurimet në bujqësi e blegtori do të ishin të suksesshme, nëse do të depërtonin thellë në këta sektorë të ekonomisë, pra nëse do të krijoheshin portofola të mëdha pasurish të siguruara, jo të përqendruara në pak zona gjeografike dhe nëse rreziqet e siguruara do të ishin të diversifikuara.

“Një skemë ose sistem i sigurimeve bujqësore masive, me përkrahje nga qeveria, mund të jetë nxitësi i duhur për krijimin e tregut të sigurimeve bujqësore në Shqipëri. Duke qenë se primet për të tilla produkte janë relativisht të larta, subvencionimi i një pjese të primit të sigurimit mund të rrisë kërkesën për to e kështu, mund të ndihmojë në krijimin e shpejtë të portofolave të mëdha” – shprehet ajo.

Zoti Libohova, nga Shoqata e Siguruesve, thotë se është e rëndësishme që bujqësia të nxitet po aq sa turizmi, për nga potencialet që ka. “Ne jemi vende që i kemi potencialet kryesisht te bujqësia dhe turizmi. E pamë çfarë ndodhi me turizmin, pandemia solli pasoja shumë të rënda. Ndërkohë, bujqësia nuk u prek shumë, sepse pavarësisht nga të gjitha, nevoja për ushqime është e pazëvendësueshme. Një bujqësi më e zhvilluar do të kompensonte humbjet e mëdha që pësuam në turizëm” – thotë ai.