Vala e aksidenteve dhe kostot në xhepat e qytetarëve” Apel për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta!

Vala e aksidenteve dhe kostot në xhepat e qytetarëve” Apel për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta!

E ndërsa vazhdon të jetë prezente, madje shqetësuese situata e aksidenteve në vend, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë del me një apel drejtuar të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë. Konkretisht, duke respektuar normat e qarkullimit, duke vendosur rripin e sigurimit por në të njëjtën kohë të marin masa për t’i paraprirë këtij rreziku, duke kryer sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.

Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të abuzojnë me shpejtësinë e lartë, që bëhet vrasësi kryesor në aksidente.

3373 patenta janë pezulluar vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti, si pasojë e  mos respektimit të normave të lejuara të shpejtësisë nga drejtuesit e automjeteve, ndërsa vitin e kaluar, në shumicën e rasteve vetëm për tejkalim shpejtësie, janë pezulluar  16 mijë e 900 patenta.

Përballë këtij fenomeni qytetarët të paktën duhet të jenë të ndërgjegjshëm, të kryejnë sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, pasi në një aksident jo vetëm mund të ndodhë dëmtimi i personit që shkakton aksidentin, por edhe i palës tjetër, apo fatkeqësisht të përfshihet edhe ndonjë kalimtar i rastit.

Një aksident, vec pasojave materiale apo fizike, përfundon edhe me kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen.

Kompanitë ndihmojnë drejtuesit ta heqin këtë përgjegjësi nga vetja, duke ia marrë ato përsipër mbulimin e dëmit të shkaktuar.

“Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm material.

Mos kryerja e këtij sigurimi automatikisht  bën që në rast aksidenti, shkaktari të paguajë nga xhepi cdo dëm që shkakton tek të tretët.”

Sipas të dhënave zyrtare të AMF-së,  dëmet e paguara nga Kompanitë e Sigurimeve për sigurimet motorrike, për vitin 2018, zunë 82% të dëmeve të paguara, shifër e pandryshuar krahasuar me vitin 2017. Dëmet më të mëdha, për të gjitha linjat e biznesit, të kompanive të sigurimit, i zënë dëmet materiale të kombinuar me ato shëndetësore, si pasojë e aksidenteve rrugore.

Vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti, sipas INSTAT, numri total i të aksidentuarve ,në aksidentet rrugore për periudhën 5 mujore janar-maj 2019, ishte 583 persona (nga 659 persona ose 11,5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018) nga të cilat 493 aksidente ishin si pasojë e shkeljeve rrugure nga ana e drejtuesve të mjeteve dhe 90 aksidente si pasojë e sjelljeve rrugore nga ana e këmbësorëve.

Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin Qershor 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 26 persona, nga 20 persona të vdekur që janë regjistruar në  Qershor 2018.

Në Qershor të këtij viti, fatkeqësisht pothuajse çdo ditë është shënuar një viktimë në rrugë!

 Arla K.