Sigurimet, tregu trefishoi mbulimin me rezerva në dekadën e fundit

Sigurimet, tregu trefishoi mbulimin me rezerva në dekadën e fundit

Autoriteti i Mbikqyrjes Finanicare(AMF) raportoi se tregu i sigurimeve përgjatë 10 viteve të fundit trefishoi mbulimin me rezerva të nevojshme për të shlyer në kohë detyrimet. Këto rezerva mbahen nga shoqëritë e sigurimit për pagesën pa vonesa të dëmeve ndaj të siguruarve. “Duke analizuar ecurinë e treguesit të provigjoneve teknike në nivel tregu, për periudhën 2011-2020, rezulton se trendi i krijimit dhe mbajtjes së provigjoneve (rezervave) është në rritje” vlerëson Autoriteti.

Ky i fundit nënvizon se në vazhdimësi ka kërkuar rritjen e treguesit të provigjoneve teknike nga ana e shoqërive të sigurimit si një element i rëndësishëm në funksionimin dhe sigurinë e tregut. Në vitin 2010, niveli i provigjoneve ishte rreth 7.6 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2020 arriti në afro 21 miliardë lekë.

“Rritja më e madhe e këtij treguesi, me afro 30% është shënuar përgjatë dy viteve të fundit. Kjo, duke marrë në konsideratë edhe rënien e provigjoneve në vitin 2020, kryesisht si pasojë e pagesës së pjesës më të madhe të dëmeve të tërmeteve, të cilat ishin provigjonuar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës në fund të vitit 2019 si rezerva për shlyerjen e detyrimeve ndaj të siguruarve” vlerëson AMF.

Ky insitucion nënvizon se përmirësim të konsiderueshëm, sidomos në periudhën 2018-2020, ka patur në raportin provigjone/prime të shkruara bruto, i cili shpreh rezervat e tregut për pagesën e dëmeve në raport me përgjegjësitë që kanë marrë përsipër shoqëritë e sigurimit përmes primeve të nënshkruara. Ky raport ka arritur në 126.4% në fund të vitit 2020, duke shënuar po ashtu rritje me rreth 30%, duke qenë se në vitin 2018 ishte 97%.

Banka Botërore në një raport të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat” evidentoi përmirësimin e treguesit të provigjoneve për shoqëritë e sigurimit si një element sigurie në menaxhimin e riskut.

Burimi:AMF

Raporti Provigjonet teknike bruto mbi Primet e shkruara bruto

Burimi:AMF