Kredia për bujqësinë ka prekur vlera minimale
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për bujqësinë në fund të gushtit kishte vlerën e 4.7 miliardë lekëve, në rënie vjetore me 3.4%. Kjo është vlera më e ulët e portofolit të kredisë që prej majit 2018. Rënia e kredisë për bujqësinë është edhe më e theksuar në terma relativë. Aktualisht, ajo përbën vetëm 1.32% të kredisë totale për biznesin, niveli më i ulët në të paktën katër vitet e fundit.
Shifrat e mësipërme tregojnë se bujqësia vazhdon të jetë e nënkredituar, po të kemi parasysh se ky sektor ka një prodhim kombëtar vjetor prej më shumë se 420 miliardë lekësh.
Credins është një ndër bankat e pakta që ka tentuar të eksplorojë sektorin e bujqësisë në dekadën e fundit. Nada Vokshi, Drejtore e Departamentit të Bizneseve Alternative, thotë për revistën “Monitor” se kreditimi i bujqësisë është vlerësuar gjithnjë me risk të lartë për institucionet kredidhënëse.
“Pavarësisht formalizimit të aktivitetit të fermerëve vitet e fundit, ky sektor i ekonomisë mbetet ende i pashërbyer mjaftueshëm me shërbime financiare, për shkak të rreziqeve të mëdha me të cilat përballet sektori. Krahas rreziqeve natyrore që kanosin prodhimtarinë, luhatja e çmimeve të prodhimeve bujqësore në vend dhe rajon është një tjetër risk më të cilin përballen fermerët shqiptarë. Nuk janë të pakta rastet në të cilat prodhimi i fermerëve është shitur nën kosto ose ka mbetur pa shitur, për shkak të çmimeve tepër konkurruese të produktit të importit” – thotë zj.Vokshi.
Ajo pranon se institucionet e mikrofinancës, për shkak të kushteve disi më lehtësuese, kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në kreditimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Ndërsa agrobizneset e mëdha dhe të konsoliduara janë klientë të bankave tregtare, fermerët e vegjël, pa kolaterale e pa garanci të tjera janë përgjithësisht klientë të institucioneve mikrofinanciare. Në reflektim të risqeve të mëdha të sektorit, bujqësia financohet me normat më të larta të interesit krahasuar me degë të tjera të ekonomisë.
“Problemet më të mëdha me kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentizimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë mungesa e ekonomive të shkallës dhe mungesa e koperimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave etj.” – shprehet zj.Vokshi.