Sigurimi mund të ndihmojë rritjen e kreditimit të fermerëve
Nga përvoja e Credins Bank, siguruesit i ofrojnë produktet e sigurimit në bujqësi në raste sporadike dhe përgjithësisht, ofrojnë sigurimet që konsiderohen me risqe më të ulëta të kësaj kategorie, të tilla si sigurimi i serave ose i gjësë së gjallë.
Zonja Vokshi mendon se arsyet kryesore përse shoqëritë e sigurimit nuk i ofrojnë gjerësisht këto produkte janë risku i lartë i ndodhjes së dukurive natyrore; mungesa e ekspertëve që mund të realizojnë vlerësime të besueshme të vlerës së objekteve të sigurueshme, rreziqeve që u kanosen atyre dhe dëmeve; mungesa e kërkesës së gjerë ose numrave të mëdhenj. Në mungesë të një portofoli sigurimesh të konsoliduar, kërkesat individuale dhe sporadike për sigurim të kësaj natyre vlerësohen me risk të lartë nga shoqëritë e sigurimit; sektori gjithashtu paraqet rrezik të lartë të abuzimeve nga ana e të siguruarve dhe mungesës së kujdesit të duhur për objektin e siguruar etj.
“Fermerët dhe bizneset në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë përballen me një sërë rreziqesh që kërcënojnë prodhimtarinë, gjënë e gjallë dhe infrastrukturat mbështetëse të fermave. Dukuri natyrore si breshëri, ngricat, përmbytjet, stuhitë, thatësirat e temperaturat ekstreme rrezikojnë jo vetëm prodhimin bujqësor të sezonit por në rastin fermave të vogla, këto dukuri mund të shkaktojnë edhe falimentimin total të tyre. Vërshimet e insekteve, sëmundjet e ndryshme të bimëve dhe ato të bagëtive, janë rreziqe po aq kërcënuese dhe të rëndësishme sa dukuritë natyrore të përmendura më sipër” – thotë zj.Vokshi.
Sipas saj, sigurimi në bujqësi e blegtori do të shmangte problemet financiare me të cilat do të përballej fermeri, apo subjekti në rast se do të humbiste pjesërisht, ose totalisht prodhimin e tij, bagëtitë ose pasuri të tjera të fermave: një fermer i siguruar ka garantuar stabilitetin financiar nëpërmjet transferimit të riskut tek siguruesi.
“Një institucion kredidhënës vlerëson me kujdes të gjitha risqet e biznesit kredikërkues, para se ta kreditojë atë. Natyrshëm, një fermer i pasiguruar do të vlerësohet me risk të lartë nga bankat, apo institucionet kredidhënëse, ndaj këto të fundit mund të vendosin ta kreditojnë atë me norma interesi ndjeshëm më të larta se bizneset e kategorive të tjera, ose mund të vendosin të mos e kreditojnë fare, atë në rast të pasigurive të mëdha.
Analiza e projeksioneve financiare të klientit dhe garancitë e tij janë elementet kryesore mbi të cilët mbështetet vendimi për kreditimin ose jo të klientëve. Fermeri i siguruar ka garantuar flukset e tij të ardhshme monetare, ndaj nuk pritet të goditet nga kriza likuiditeti e financiare në të ardhmen, duke u kthyer kështu në një klient me potencial të lartë kreditimi nga institucionet kredidhënëse” – thotë zj.Vokshi.
Sipas saj, sigurimi i bujqësisë dhe blegtorisë do të ishte nxitës i rëndësishëm i kreditimit të këtyre sektorëve të ekonomisë pasi institucionet kredidhënëse do të ishin shumë më të mbrojtura nëse do të kreditonin klientë që kanë garantuar stabilitetin financiar përmes policave të sigurimit.
Në këndvështrimin e saj, sigurimi do të lehtësonte më tepër kreditë afatshkurtra deri në afatmesme (nga një deri në tre vite), kreditë pa kolaterale, apo kreditë për kapital qarkullues. Ndërkohë, fermerët që dëshirojnë të financohen për qëllime investimesh të mëdha përgjithësisht kërkohet të kenë kolaterale me vlerë të konsiderueshme dhe historik biznesi pozitiv, ndaj sigurimi në këto raste, pavarësisht se do të ishte një element favorizues për kredidhënie, nuk do të ishte i mjaftueshëm për garantimin e kreditimit të biznesit.