Tregu i sigurimeve – vazhdon trendi rritës ne pagimin e dëmeve
AMF: Rreth 12 Milionë euro dëme të paguara vetëm në periudhën Janar-Mars 2019.
Oljana Maloku.
Kompanitë e sigurimeve sa vijnë e rrisin më shumë përgjegjshmërinë ndaj klientit duke shlyer në kohë detyrimet për dëmet e shkaktuara.
Kjo faktohet edhe nga të dhënat e bëra publike së fundmi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare lidhur me Tregun e Sigurimeve.
Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit për periudhën Janar – Mars 2019 arritën në mbi 1,5 miliardë lekë ( mbi 12 milionë euro ), me një rritje prej 11.82% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018.
Por ky trend pozitiv ka qënë edhe për vitin 2018 ku kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 7 miliard lekë ( mbi 56 milionë euro ) dëme ndaj të siguruarëve ose rreth 26.3% më shumë se sa në vitin 2017. Këta tregues dëshmojne seriozitetin e këtij tregu ndaj klientëve te tij, duke reaguar në kohën e duhur për dëmet e ndodhura.
Përfaqësues nga ky treg garantojnë se do të vijojnë t’i shërbejnë në kohë reale klientëve duke shlyër dëmet sipas afateve që parashikon ligji.
Sa i përket shifrave të fundit të bëra publike nga AMF, në tre muajt e këtij viti të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën mbi 3,969 milionë lekë, ose 11.78% më shumë se në periudhën Janar – Mars 2018.
Në këto periudhë ka shënuar rritje me 5.68% edhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura , duke arritur në 276,006.
Sipas AMF-së trendi vazhdon të mbetet i njëjtë : tregu është i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.78 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.97%.
Sipas llojit të sigurimit : primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.93% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.07% të totalit të tregut.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorrik dominojnë dhe për periudhën Janar- Mars 2019, ku këto prime arritën rreth 2,305 milionë lekë, ose 4.29% më shumë se në periudhën Janar – Mars 2018.
Për periudhën Janar – Mars 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, rezultojnë këta tregues :
- produkti Karton Jeshil pati një rritje prej 11.97%,
- produkti MTPL e brendshme pati një rritje prej 3.44%
- produkti Sigurim Kufitar pati një ulje prej18.00%
Sipas njoftimit te AMF-se, primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës Janar – Mars 2019 arritën rreth 1,664 milionë lekë, ose 24.12% më shumë se në periudhën Janar – Mars 2018.