Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar-Korrik 2021
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2021 kapën vlerën 10,936 milionë lekë, ose 18.62% më shumë se në periudhën janar-korrik 2020. Gjatë periudhës janar-korrik 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 601,474 me një rritje prej 14.71% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.54 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.99% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.01% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-korrik 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,245 milionë lekë, ose 6.99% më pak se në periudhën janar-korrik 2020.
Gjatë periudhës janar-korrik 2021, dëmet e paguara bruto-sigurimi motorik kapën vlerën 2,386 milionë lekë duke pësuar një rritje me rreth 44.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-korrik 2021 arritën rreth 6,344 milionë lekë, ose 12.76% më shumë se në periudhën janar-korrik 2020.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-korrik, pati një rritje prej 9.97% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 11.69% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-korrik pati një rritje prej 20.82% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 38.12% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-korrik, pati një rritje 94.03% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-korrik 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 108.28%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-korrik 2021 arritën rreth 4,592 milionë lekë, 27.79% më shumë se në periudhën janar-korrik 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 6.91% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2021, patën rritje me 25.45% kundrejt periudhës janar-korrik 2020.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-korrik 2021 siguruan mbi 2,246 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.39%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 26.61% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-korrik 2021, vihet re një rritje prej 48.54% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 10.08% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-korrik 2021, arritën në rreth 757 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.48% në krahasim me periudhën janar-korrik 2020.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2021, arritën rreth 792 milionë lekë, ose 36.01% më shumë se në periudhën janar- korrik 2020.