Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar-Maj 2021

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar-Maj 2021

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-maj 2021 kapën vlerën 7,009 milionë lekë, ose 15.51% më shumë se në periudhën janar-maj 2020. Gjatë periudhës janar-maj 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 361,233 me një rritje prej 1.86% krahasuar me periudhën janar-maj 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.95 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.04%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.44% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.56% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-maj 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,144 milionë lekë, ose 7.98% më pak se në periudhën janar-maj 2020, kryesisht për shkak të pagesës së pjesës më të madhe të dëmeve të tërmeteve vitin e kaluar. Gjatë periudhës janar-maj 2021, dëmet e paguara bruto-sigurimi motorik kapën vlerën 1,714 milionë lekë duke pësuar një rritje me rreth 51.42%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-maj 2021 arritën rreth 3,964 milionë lekë, ose 11.51% më shumë se në periudhën janar-maj 2020.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-maj, pati një rritje prej 11.04% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 12.31% krahasuar me periudhën janar-maj 2020.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-maj pati një rritje prej 5.91% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 5.47% krahasuar me periudhën janar-maj 2020.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-maj, pati një rritje 97.86% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-maj 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 106.29%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-maj 2021 arritën rreth 3,045 milionë lekë, 21.17% më shumë se në periudhën janar-maj 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 14.82% krahasuar me periudhën janar-maj 2020.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-maj 2021, patën rritje me 21.06% kundrejt periudhës janar-maj 2020.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-maj 2021 siguruan mbi 1,596 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 69.71%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 20.71% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-maj 2021, vihet re një rritje prej 41.13% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 11.09% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-maj 2020.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-maj 2021, arritën në rreth 526 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.15% në krahasim me periudhën janar-maj 2020.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-maj 2021, arritën rreth 493 milionë lekë, ose 21.58% më shumë se në periudhën janar- maj 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *