![Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, pjesë e aktivitetit ” Ne flasim gjuhën e tregjeve financiare”!](https://shoqatasiguruesve.al/wp-content/uploads/2021/10/WhatsApp-Image-2021-10-07-at-7.24.45-PM-750x465.jpeg)
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, pjesë e aktivitetit ” Ne flasim gjuhën e tregjeve financiare”!
Në kuadër të “Javës Botërore të Investitorit”, nën kujdesin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe në bashkëpunim me shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrjen e organizatës “Junior Achievement Albania” u zhvillua ceremonia përmbyllëse dhe e ndarjes së çmimeve për inisiativën “Ne flasim gjuhën e tregjeve financiare”.
Inisiativa “Ne flasim gjuhën e tregjeve financiare” ka angazhuar 100 nxënës të 10 shkollave të mesme në vend, në hartimin e një fjalorthi me terma dhe koncepte themelore në fushën e investimeve dhe sipërmarrjes, bankave dhe sigurimeve.
Përgjatë një viti, gjimnazistë dhe maturantë nga shkollat e mesme në qytete të ndryshme të vendit u përfshinë në hartimin e një fjalorthi me terma dhe koncepte themelore për tregjet financiare, shprehur në një gjuhë të thjeshtë e të përshtatshme për grupmoshën e tyre.
Në ceremoninë e ndarjes së vlerësimeve, mori pjesë edhe Znj. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, e cila në një fjalë përshëndetëse, vlerësoi inisiativën dhe rëndësinë që ka edukimi finananciar i qytetarëve në përgjithësi por dhe i brezit të ri në veçanti. Ngjarjet e viteve të fundit, katastrofat natyrore, ndryshimet klimaterike, aksidentet, pandemia apo edhe rastet e shtuara të sulmeve kibernetike sjellin në vëmëndje domosdoshmërinë e ndryshimit të sjelljes për sa i përket sigurimeve.
Znj Hajdarmataj shprehu gjithashtu edhe gadishmërinë për të bashkëpunuar me shkollat e mesme për të iniciuar iniciativa të tilla, me fokus informimin dhe edukimin mbi sigurimet dhe më gjërë, në mënyrë që të rrisim një brez me njohuri mbi rriskun dhe sigurimet të cilat garantojnë qëndrueshmëri financiare dhe mbulim të përgjegjësive ndaj palëve të treta.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë si pjesë e Rrjetit Kombëtar të Edukimit Financiar (ANFE), që së bashku me AMF dhe Bankën e Shqipërisë, po punojnë për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse kombëtare për edukimin financiar.