Përmbytjet dhe bujqësia/ Hajdarmataj: Sektor me risk të lartë, si qeveria në Maqedoninë e Veriut subvencionon primit e sigurimit
Historia e përmbytjeve vazhdon të përsëritet dhe të shkaktojë dëme të konsiderueshme financiare. Brenda pak ditësh si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, mijëra hektarë tokë bujqësore, dhjetëra banesa e biznese u përmbytën.
Dëmet më të mëdha u shkaktuan në bashkitë Shkodër, Lezhë, Krujë, Kurbin, Durrës dhe Vlorë, por edhe në zona të tjera, por më dëme më të lehta.
Shqipëria, vitet e fundit, është goditur herë pas here nga fatkeqësitë natyrore, ngjarja më e rëndë ishte tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, që përveç humbjeve njerëzore, këto ndodhi tregojnë edhe aftësinë që ka shteti shqiptar për t’i përballuar ato.
E ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në RTV Ora, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, znj. Mimoza Hajdarmataj foli mbi rëndësinë e sigurimit në këtë sektor dhe ser çfarë bëjnë shtetet europiane, përfshirë edhe fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut.
“Bujqesia është një sektor mjaft i ekspozuar ndaj faktorëve natyrorë. Përmbytjet e këtyre ditëve ishin shembulli i fundit i rreziqeve të mëdha ndaj të cilave ekspozohet sektori bujqësor dhe që shkaktojnë periodikisht dëme.
Kur nuk janë shirat, breshëri, përmbytjet, janë ngricat, thatësira apo zjarri.
Arsyeja pse fermerët shqiptarë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dëmit ekonomik është mungesa, pothuajse totale, e sigurimeve në bujqësi dhe më tej në gjithë zinxhirin e vlerës ushqimore.
Sigurimi i prodhimit bujqësor është një çështje e komplikuar. Aktualisht, produktet e sigurimit në bujqësi ofrohen nga tregu i sigurimeve, por shumë pak aplikohen nga fermerët, kjo pasi duke qenë sektor me rrezik të lartë, edhe primi i sigurimit eshte i lartë dhe fermerët nuk e përballojnë dot.
Kjo nuk është eksperienca jonë, por kjo është eksperienca e te gjithë vendeve të tjera, që operojnë me sigurimet në bujqësi.
Nga informacionet që kemi, primi i sigurimeve në bujqësi shkon midis 3% dhe 8% te shumës së sigurimit. Ky prim është shumë më i lartë krahasuar me sektorët e tjerë të sigurimit. Me kosto kaq të larta fermerët e kanë të vështirë të sigurohen vullnetarisht, ndaj ky treg është pothuajse i papërfillshëm.
Dihet që primi i sigurimit është i lidhur shumë me numrin e te siguruarve. Sa më shumë raste të jenë të siguruar, aq më i ulët do të jetë primi. Ndaj kur diskutojmë për sigurimet, edhe në rastet kur aplikohet një prim i lartë, kjo nuk mjafton për të qenë një sipërmarrje e sukseseshme për shoqerinë e sigurimit në qoftë se nuk do të kemi numra të mëdhenj për marrjen në sigurim, pra shumë të siguruar.
Pikerisht këtu qëndron edhe çelësi i një sigurimi të sukseshëm dhe funksional për fermerët. shumë të siguruar dhe subvencionim nga buxheti i shtetit ose donatorët për primin e lartë të sigurimit.
Tregu i sigurimeve është i gatshem gati për t’u bërë pjesë e këtyre skemave dhe për të gjetur risigurues të leverdisshëm, që garantojnë mbulimin e rreziqeve të medha.
Ndaj Shoqata e Siguryesve mendon se ka ardhur momenti të kemi një fillim për këtë proces dhe e vetmja zgjidhje për të futur fermerët në skema të tilla sigurimesh do të jetë subvencionimi i primeve nga shteti.
Nga ajo që kemi konsultuar me ekspertët tanë dhe me ekspertë të huaj, duhet që shteti të financojë pjesërisht se tërësisht primin e sigurimit ne 2-3 vitet e para.
Për shembull, nëse do alokoheshin nga buxheti 500 milionë lekë në vit për subvencionimin e primit në bujqësi, sipas një skeme të paracaktuar me kufi mbulimi deri në 500 mijë lekë, prim sigurimi 5% (25 mijë lekë), nga të cilat 20% (5 mijë lekë) merr përsipër fermeri dhe 80% (20 mijë lekë) buxheti i shtetit, numri total i të siguruarve do te ishte 25 mijë fermerë”.
Më tej, Hajdarmataj solli edhe shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku qeveria subvencionon primin e sigurimit për fermerët e saj.
“Kjo nuk është një gjë e re që në këtë 10-vjeçar nuk kanë shkelur edhe vendet e tjera. Jo më larg, Maqedonia e Veriut ku qeveria mbulon 60% të primit të sigurimit. 40% e mbulon vetë fermeri. Ky sektor me kaq risk, për më tepër që bujqësia e blegtoria ze një vend shumë të rëndësishëm në GDP-në e vendit, për më tepër që ne duhet ta nxisim…”, tha ndër të tjera ajo.
Emisioni i plotë: