Sigurimi i Automjeteve në Shqipëri, nevoja për ndërhyrje/ Shoferët problematik me shpejtësinë do të paguajnë gjithmonë më shumë

Rriten aksidentet gjatë shkurtit/ 88 aksidente rrugore, 123 persona të aksidentuar

Të dhënat zyrtare tregojnë se në muajin Shkurt 2023 numërohen 88 aksidente rrugore nga 77 të ndodhura në muajin Shkurt 2022. Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 14,3%.

Sipas INSTAT, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 123 persona nga 100 në muajin Shkurt 2022.

Një tjetër element që bie në sy është rritja e pakujdesisë së shoferëve të grupmoshës 35-44 vjeç të cilët në raport me një vit më parë kanë rritje me 11.1 për qind si shkaktarë të aksidenteve nga sjellja në timon.

“Aksidentet rrugore, në 81,8% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 35-44 vjeç, duke zënë 22,7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 11,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në raport.

Në muajin Shkurt 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur në ditët e Hëna dhe të Enjte, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Mërkurave.

Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00 duke përbërë 29,5% të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin Shkurt 2023

INSTAT raportoi se në dymujorin e parë të vitit 2023, numërohen 172 aksidente rrugore nga 184 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 6,5%. Numri i të aksidentuarve është 242 persona nga 247 persona të aksidentuar në dymujorin e parë të vitit 2022.

Aksidentet rrugore, në 19,2% të rasteve, në dymujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur me 13,8%.

 

Pse “Sigurimi i Makinës” është detyrim ligjor

Sigurimi i mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, TPL, është një sigurim i detyrueshëm, 1-vjeçar, i cili i ofrohet poseduesit të mjetit motorik, që qarkullon brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.

ÇFARË MBULON SIGURIMI I DETYRUESHËM I MJETIT MOTORIK?

Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorrik mbulon dëmet që i shkaktohen palëve të treta gjatë përdorimit të mjetit motorrik me pasojë dëmtime të pronës, dëmtime trupore dhe përkeqësimin e shëndetit dhe humbjen e jetës.

Sigurimi mbulon edhe dëmet ndaj personit dhe pronës qe mund tu shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve dhe personave të tjetë që lëvizin në rrugë, vetë strukturave të rrugës dhe pasurive përreth si shtylla, dyqane etj).

Lidhja e kontratës së sigurimit është një detyrim që buron nga Kodi Rrugor dhe Ligji nr.32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Masat ndëshkuese nëse nuk pajisesh me Sigurim

Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor shoqërohet me masa administrative që rëndojnë xhepin e pronarit të mjetit të pasiguruar. Me ndryshimet e reja ligjore dhe zhvillimin e teknologjisë së strukturave të Policisë Rrugore, evidentimi i mjeteve të pasiguruara është bërë më i lehtë.

Kujtojmë se cilido që qarkullon pa qenë i siguruar, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga 10,000 deri në 40,000 lekë.

Zbatimi i “bonus malus” mund të na bëjë më të kujdesshëm?

Katër shqiptarë dëmtohen ose humbin jetën mesatarisht çdo ditë në rrugët e vendit. Në pjesën më të madhe të rasteve aksidentit ndodhin nga pakujdesia e drejtuesit të mjetit.

Në një kohë që masat e ashpërsuara në Kodin Rrugor nuk po japin efekt, ekspertët vlerësojnë se zbatimi me detyrim i sistemit “bonus malus” mund t’i vijë në ndihmë situatës.

“Ky sistem duhet të vihet me detyrim, me qëllim që ata drejtues automjetesh që i kanë pikët e nevojshme, pasi nuk kanë bërë shkelje të Kodit Rrugor të përfitojnë lehtësi në pagesë. Aplikimi i sistemit, “bonus-malus” do të bënte të mundur diferencimin mes përdoruesve të përgjegjshëm dhe atyre të këqij të rrugës”, shprehen ekspertët.

Sistemi “bonus malus” përcakton çmimin e siguracionit të automjetit në bazë të historikut të numrit të aksidenteve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *