PSE DUHET TË JEMI TË SIGURUAR GJATË GJITHË KOHËS?

 

Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një problem serioz për Shqipërinë.

Çdo ditë dëgjojmë për disa disa aksidente, një pjesë e tyre fatkeqësisht edhe me viktima.

Sipas INSTAT, në muajin Qershor 2023 numërohen 101 aksidente rrugore nga 98 të ndodhura në muajin Qershor 2022.

Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 132 persona.

Një aksident, veç pasojave materiale apo fizike, ka edhe me kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen. Ndaj vazhdimisht kemi apeluar tek qytetarët që të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë, duke respektuar normat e qarkullimit, duke vendosur rripin e sigurimit por në të njëjtën kohë të marrin masa për t’i paraprirë çdo rreziku potencial, duke kryer sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.

Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ose TPL, na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm që me mjetin tonë i shkaktojmë palëve të treta.

Kompanitë e Sigurimit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndihmojnë drejtuesin e automjetit shkaktar të dëmit të heqë këtë përgjegjësi nga vetja, duke i marrë përsipër mbulimin e dëmit të shkaktuar.

Në të kundërt, automatikisht shkaktari paguan nga xhepi çdo dëm që shkakton tek të tretët, që mund të jetë edhe qindra milionë lekë.

Në Shqipëri, rreth 23% e mjeteve të pasiguruara, dëmet prej tyre në rritje

Në Shqipëri është një numër i lartë i mjeteve të pasiguruara.

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në fund të vitit 2021 numri i automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, ishte rreth 741 mijë.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të njëjtin vit kompanitë e sigurimeve raportuan 568 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.

Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se më pak se 77% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike.

23% e totalit, ose rreth 173 mijë mjete, rezultojnë të pasiguruara.

Shifra në vetvete është shumë e lartë dhe përfaqëson një vlerësim maksimal, pasi me shumë mundësi një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht.

Kujdes! Mos udhëtoni nëse automjeti juaj nuk ka siguracionin e nevojshëm pasi pasojat finanaciare mund të jenë tepër të larta dhe mund të çojnë në rrënim ekonomik për gjithësecilin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *