Shqiptarët “dyndje” jashtë vendit/ Rriten me mbi 50% kontratat e sigurimit “karton jeshil” për periudhën janar-qershor
Nënçmimi i fortë euros në raport me lekun ka lehtësuar kostot e shqiptarëve për udhëtimet jashtë kufijve, gjë që është reflektuar edhe te sigurimet e mjeteve që dalin nga territori shqiptar.
Për periudhën janar-qershor të këtij viti, sipas AMF, është rrritur me më shumë se 50% numri i kontratave të “Kartonit Jeshil”, sigurimi i detyrueshëm për çdo mjet me targa shqiptare që del nga territori i Republikës së Shqipërisë (përjashtuar Kosovën).
Produkti “Karton Jeshil” në muajin janar-qershor 2023 pati një rritje prej 5.52% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 52.07% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
ÇFARË MBULON SIGURACIONI ‘KARTON JESHIL’?
Kartoni jeshil mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik.
Kjo policë sigurimi ju mbron juve dhe automjetin tuaj nga dëmet (materiale dhe jo materiale), që i shkaktohen palëve të treta në rast aksidenti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
DËMTIMI I AUTOMJETIT TË PAJISUR ME ‘KARTON JESHIL’
Për dëmet e ndodhura jashtë territorit të Shqipërisë, si drejtues automjeti të pajisur me policën e Kartonit Jeshil, duhet të njoftoni shoqërinë e sigurimit brenda 24 orëve dhe të jepni një informacion të detajuar rreth ngjarjes.
Dëmet e ndodhura të Kartonit Jeshil do të trajtohen sipas ligjit dhe rregullave të territorit ku ka ndodhur ngjarja, e miratuar nga “Byroja Ndërkombëtare e Kartonit Jeshil”.
SHTETET E SISTEMIT TË ‘KARTON JESHIL’
Sot, Sistemi i Kartonit Jeshil ka 48 anëtarë, të cilët janë kryesisht shtete Europiane, si dhe disa shtete që kufizohen nga deti Mesdhe dhe Irani.
Produkti “Sigurim Kufitar“, i detyrueshëm për mjetet me targa të huaja që futen në Republikën e Shqipërisë, në muajin janar-qershor 2023, pati një rritje 7.24% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar-qershor 2022. Edhe numri i kontratave u rrit me 21.43%.
ÇFARË MBULON ‘POLICA KUFITARE?
- Dëmet materiale
Përfshihen të gjitha dëmet që shkakton mjeti shkaktar, si dëmet e mjeteve motorike, dyqane, shtëpi, pemë, kafshë, etj., me përjashtim të dëmit që pëson mjeti përgjegjës për ngjarjen.
- Dëmet shëndetësore
Përfshihen të gjitha dëmtimet që u shkaktohen personave të ndryshëm, përfshirë edhe pasagjerët, me përjashtim të dëmit që pëson drejtuesi i mjetit përgjegjës për ngjarjen.
Këto ndahen në tre lloje:
- Paaftësi e përkohshme
- Paaftësi e përhershme
- Vdekje
Kohëzgjatja e “Policës Kufitare” mund të jetë 15 ditë, 45 ditë, 1 muaj, 6 muaj ose 1 vit.
Në total, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-qershor 2023 arritën rreth 6 miliardë lekë, afërisht 60 milionë euro, ose 7.54% më shumë se në muajin janar-qershor 2022.
Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar-qershor 2023, pati një rritje prej 7.91% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 8.98% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,3 miliardëë lekë, ose 3.54% më shumë se në muajin janar-qershor 2022.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-qershor 2023 kapën vlerën 3,1 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 4.04% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.