Dita Botërore e Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin/ Roli i siguruesve

Data 10 tetor është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si Dita Botërore e Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.

Në një kontekst global, kur ndodhin kriza humanitare është e nevojshme që në kohën e duhur të vijë mbështetja dhe ndihma e parë psikologjike. Në shumë vende dhe çdo ditë, njerëzit përjetojnë kriza personale, nga ato më të lehta si humbja e të dashurit apo një situatë stresuese në punë, deri tek ato më të rënda si përjetimi i sëmundjeve të rënda fizike.

Ka njerëz që fatkeqësisht përjetojnë abuzim dhe/ose dhunë, të cilat rrisin stresin dhe mundësinë e zhvillimit të problemeve të shëndetit mendor. E gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme lidhur me nevojën e sigurimit të mbështetjes së duhur, kur njerëzit përjetojnë stresin për shkak të ngjarjeve traumatike, si në nivel global ashtu edhe në atë individual

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra apo konflikte.

Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta.

Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.

Impakti i shëndetit mendor për siguruesit 

Dekadën e fundit, është vëzhguar një zhvendosje në raport me dëmet shëndetësore nga dëmet e lidhura me shëndetin fizik tek ezaurimi i shëndetit mendor, ankthi, depresioni të cilat mund të çojnë deri në sëmundje neurologjike. Këto ndryshime duhet të monitorohen me kujdes për të vlerësuar imapktin ekonomik në të gjitha linjat e biznesit të sigurimeve si edhe në fushat ku mund të shtrihen risqe të tjera të fshehura (p.sh., operacionet, investimet, dhe menaxhimi i aseteve).

Pasiguritë e lidhura me shëndetin mendor përbëjnë sfidë për industrinë e sigurimeve dhe mund të përfshijnë vështirësitë në klasifikimin e kategorive mjekësore për menaxhimin e dëmeve dhe shqetësimet lidhur me diskriminimin, kompleksitetin e diagnozave gjatë marrjes në sigurim dhe fazat e menaxhimit të riskut.

Me rritjen e shqetësimeve rreth shëndetit mendor në të gjithë botën, siguruesit me shumë mundësi do të përballen shumë shpejt me sfida të reja dhe shumë më shpesh nga sa pritet. Për shembull, në tetor 2021, rregullatori australian zbatoi një grup rregulloresh përshkruese të cilat impaktojnë në mënyrë të konsiderueshme dizenjimin e produkteve nga ana e siguruesve, marrjen në sigurim dhe menaxhimin e dëmeve në rastin e mbulimit të shëndetit mendor si pjesë e integruar e produkteve të mbrojtjes së të ardhurave, financave të njerëzve.

Segmenti i Jetës dhe Shëndetit

Rritja e risqeve të shëndetit mendor në të gjithë botën pritet që të çojë në rritjen e numrit dhe kompeksitetit të dëmeve në sigurimet e mbrojtjes, duke përfshirë sigurimin për aftësitë e kufizuara, sigurimin e jetës dhe sigurimin e shëndetit. Kushtet e gjendjes mendore renditen tashmë midis shkaqeve kryesore të pamundësisë për të punuar, duke çuar në rritjen e paaftësisë për punë dhe dëmet e jetës.

Por rritja e kërkesës për shërbimet e shëndetit mendor dhe nevoja e vazhdueshme për mbulimin e çrregullimeve psikologjike kanë ndërlikime për dëmet e sigurimit të shëndetit.

Shumë faktorë i shtohen kompeksitetit të dëmeve të shëndetit mendor të tilla si:

  • Vështirësitë në diagnostikimin e kushteve të shëndetit mendor;
  • Aspekti kronik i çrregullimeve të shëndetit mendor;
  • Lidhja e ngushtë ndërmjet shëndetit mendor dhe atij fizik;
  • Mungesa e të dhënave.

Segmenti i Pasurisë dhe Aksidenteve

Ndonëse ndërlikimet potenciale mund të jenë indirekte dhe në një shkallë më të vogël sesa tek segmenti i jetës dhe shëndetit, kushtet e shëndetit mendor mund të çojnë në rritjen e ashpërsisë dhe shpeshtësisë së dëmeve në mbulimin e aksidenteve. Midis këtyre mund të rendisim:

  • Përgjegjësinë e punëdhënësit;
  • Kompensimin e punonjësve;
  • Përgjegjësinë profiesionale dhe neglizhencën mjekësore.

Segmenti i Investimeve dhe Menaxhimit të Aseteve

Risqet e shëndetit mendor mund të impaktojnë gjithashtu negativisht vendimet në nivel individual, ndërkohë që strategjitë e investimit që përfshijnë komponentët ESG – mjedisi, aspekti social dhe komponenti i qeverisjes – mund të targetojnë mundësi të reja në kujdesin dhe inovacionet e trajtimit të shëndetit mendor.

Risqet operacionale

Siguruesit mund të përballen me risqe operacionae të cilat lidhen me shëndetin mendor dhe me humbje të tilla si reduktimi i performancës, gabimet, humbja e stafit kyç dhe paaftësia për të tërhequr talente të reja, si edhe risqet që kanë të bëjnë me reputacionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *