Shqipëria, e rrezikuar nga Katastrofat Natyrore/ Ekspertët: Sigurimet vullnetare, të lëna pas dore

Njeriu bashkëjeton me rrezikun. Tërmeti, zjarret, përmbytjet godasin në herë pas here në komunitete të gjera dhe kohë të ndryshme. Goditjet përkthehen me një emërues të përbashkët të quajtur katastrofë.

Shqipëria është shteti më i rrezikuar në Europë nga katastrofat natyrore. Të paktën 30 mijë persona në vit janë prekur prej tyre që prej vitit 1995 duke bërë që rreziku nga fatkeqësitë natyrore  të jetë i lartë. Këto goditje e kanë vendosur vendin tonë me rreth të kuq, me probabilitet të lartë risku, 8.46 nga 10 që është koeficienti maksimal.

Çdokush sot në Shqipëri e di që ne jemi një vend me rrezikshmëri të shtuar përsa i përket tërmeteve. Dhe këtë e kanë treguar edhe ngjarjet e vitit 2019. Unë do doja që, në rradhë të parë, t’ju them të gjithë shqiptarëve që po, Shqipëria është një vend përfshihet në një zonë më të rrezikuar se vendet europiane”, thotë për Euronews Albania Kryetari i Shoqatës së Siguruesve  të Shqipërisë z.Klaidi Çitozi.

 

Duke marrë në konsideratë shtimin e rreziqeve nga katastrofat natyrore, fenomene që nga viti në vit po shtohen dhe po përsëriten dhe Shqipëria, sipas Bankës Botërore, është në pjesën e rrezikut. Pra, është  në zonën pothuajse me të kuqe përsa i përket ndikimit nga katastrofat natyrore. Kështu që, duke qenë se jo vetëm Shqipëria por të gjitha vendet e rajonit, Evropa janë duke marrë masa për të parandaluar këto rreziqe, pasojat që shkaktojnë katastrofat natyrore  duke përshtatur, adaptuar ndërhyrje të tilla ligjore”. thotë znj. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

 

Tregu i Sigurimeve në Shqipëri mbulon gjithçka që mbulojnë simotrat e tyre në Evropë, duke nisur nga dëmet që shkaktojnë katastrofat natyrore, aksidentet rrugore po ashtu edhe shëndetin, jetën dhe skemat sociale në fushat e pensioneve.

Në këtë treg, vetëm sigurimi i automjeteve është i detyrueshëm, ndërsa për skemat e tjera njerëzit apo bizneset mbrohen në mënyrë vullnetare.

 

Ka një trend në rritje të vullnetarizmit. Para katër vitesh, kur ndodhen dy tërmete dhe pati kosto shumë të lartë dhe kompanitë e sigurimeve paguan kosto të larta, por prapë penetrimi i sigurimeve vullnetare dhe i sigurimit të banesave është shumë i ulët. Ka një lëvizje, ka një tendencë rritjeje por kjo është shumë e vogël krahasuar me gjendjen aktuale të banesave apo të aseteve në vendin tonë”, konstaton ekspertja e sigurimeve, znj. Venera Xhillari.

 

Vazhdojmë të mos e kemi kulturën për tu siguruar në mënyrë vullnetare, në mënyrë personale, pa na detyruruar”, shton znj. Hajdarmataj.

 

Projektligji / Sigurimi i banesave nga tërmeti

 

Qeveria ka përgatitur projekt-ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.

 

Projektligji i nxjerrë për konsultim publik, ka si qëllim mbulimin e humbjeve financiare nga tërmetet, ndërsa detyrimin për t’u siguruar e kanë të gjitha banesat.

 

Por sipas ekspertëve të fushës së sigurimeve, në këtë proces nuk duhen lënë mënjanë kompanitë e sigurimeve.

 

Projektligji ka disa të mira dhe disa mangësi. E mira se është i detyrueshëm. Ka një mangësi të madhe që është përfshirë vetëm tërmeti. Për mendimin tim duhet të ishin edhe rreziqe të tjera natyrore, siç është përmbytja. Nuk duhet të përfshiheshin vetëm banesat por edhe automjetet që përfshihen në një ngjarje katastrofike.

Kompanitë e sigurimeve nuk duhet të lihen jashtë këtij projektligji. Ne duhet të jemi pjesë. Duhet të jemi pjesë me ekspertizën tonë, duhet të jemi pjesë bashkë me opinionet, mendimet dhe eksperiencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, që të bëjmë diçka sa më të mirë në interes të shqiptarëve”, shprehet z.Çitozi.

 

Një banesë mund të sigurohet sot për dëmet nga zjarri, shpërthimi, rrufeja, tërmeti apo përmbytjet sipas opsionit që zgjedhin qytetarët dhe sot, kompanitë e sigurimeve e ofrojnë për një çmim mesatar prej 5,000 Lekësh në vit.

 

Vlera e sigurimit për frymë, Shqipëria e fundit edhe në rajon

 

Sa i përket shpenzimeve për frymë për sigurime Shqipëria është e fundit në Evropë, ndërsa mbetet pas krahasuar edhe me vendet e fqinjit.

Fatkeqësisht është një gjë që kur Shqipëria kalkulon statistikat e saj është e dhimbshme që ne gjendemi në fund të çdo lloj statistike, flas edhe për këtë treg. Të fundit edhe në rajon sepse edhe Maqedonia e Veriut e ka rritur shumë vlerën që qytetarët shpenzojnë për frymë në sigurime. Edhe Kosova. Po të krahasohemi me këto dy vende fqinje. Pastaj në Europë nuk shanse për tu krahasuar sepse ndoshta është niveli i edukimit, i ndryshimit të mendësisë ndaj këtij produkti”, shprehet Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, znj. Mimoza Hajdarmataj.

Emisioni i plotë në EuroNews Albania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *