Shqiptarët ende indiferentë/ Sigurimet nga fatkeqësitë natyrore shumë të ulëta, më pak se 20 milionë euro për 9-mujorin 2023
Teksa stuhia “Ciaran” shkaktoi reshje të dendura e për rrjedhojë përmbytje në gjithë vendin, numri i shqiptarëve që kanë siguruar pronat nga përmbytjet, zjarret e fatkeqësitë natyrore është shumë i ulët.
Nga të dhënat zyrtare të Autotritetit të Mbikqyrjes Financiare rezulton se në total janë paguar për periudhën janar-shtator më pak se 20 milionë euro në gjithë vendin për sigurimin e pronave nga fakteqësitë natyrore.
LEXO EDHE: Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për muajin janar-shtator 2023
Megjithëse me një rritje të lehtë krahasuar me vitin e shkuar, totali i parave të shpenzuara për këtë lloj sigurimi rezulton 2 miliardë lekë në shtator.
Volumi është shtuar me 19% krahasuar me një vit më parë, por mbetet shumë i ulët, duke parë se pjesa dërrmuese e kësaj shifre përbëhet nga kontratat e sigurimit të pronave publike, si dhe nga nga kredimarrësit, të cilët i detyrojnë bankat të sigurojnë pronat për të mundësuar marrjen e kredive.
I gjithë portofoli i sigurimit të pronave rezulton shumë i ulët përë këtë vit, megjithëse përmbytjet dhe zjarret përsëriten rregullisht vit pas viti, duke u shkaktuar mjaft dëme bizneseve e individëve. Për portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive, për periudhën janar shtator janë paguar në total 3.1 miliardë lekë nga individët e bizneset shqiptare, afërisht 30 milionë euro.
Pjesën dërrmuese të kësaj vlere e zë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 65.33%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 25.77% të totalit.
Ndërkaq gjithë tregu i sigurimit mbetet i orientuar nga sigurimet e detyrueshme, me shumë pak zhvillime në segmentin e sigurimit vullentar. Sigurimet e jo jetës, siaps të dhënave zyrtare të AMF sollën 92.02% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 7.91% dhe risigurimi 0.07 %.
Ndërsa parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.93% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.07% të totalit të tregut.