Bujqësia e “braktisur” nga bankat/ Eksperti: Shkak edhe mungesa e siguracioneve

Edhe mbetet sektori që kontribuon më së shumti në ekonominë shqiptare me rreth 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, bujqësia vijon të mbetet një sektor i nënkredituar, gati i “braktisur” nga bankat.

 

Bankat u dhanë bujqve shqiptarë 568 milionë lekë kredi gjatë tetorit. Në raport me një vit më parë, kredia për sektorin më të madh të ekonomisë u rrit me 365 milionë lekë, apo 17,8%.

 

Megjithatë, pavarësisht rritjes së mbështetjes, në raport me totalin e huave të dhëna, bujqësia zuri vetëm 1,85%.

 

Faktori kryesor është mungesa e certifikimit të tokës, parcelizimi, informaliteti i lartë, mungesa e siguracionit, si edhe kosto e lartë e prodhimeve në mënyrë që planet e biznesit të dalin sipas kërkesave që kanë institucionet financiare”, shprehet për A2 CNN Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.

 

Marrë në harkun e 10 muajve, fermerët shqiptarë kanë mundur të marrin nga bankat 2,2 miliardë lekë kredi, nga 1,8 miliardë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. Hapja e sektorit bankar ndaj bujqësisë konsiderohet e rëndësishme nga përfaqësues të këtij sektori, veçanërisht pas pezullimit të fondeve IPARD nga Bashkimi Europian dhe ulja e buxhetit në dispozicion për vitin e ardhshëm.

 

“Kjo nuk e mbush boshllëkun e krijuar, por e lehtëson shumë. Duhet të ketë një hapje ndaj fermerëve edhe nga institucionet financiare jobanka, pra shoqëritë e kursim-kredisë”, theksoi Rrapaj.

 

SIGURIMI I BUJQËSISË

 

Në muajin shtator, fermerët e zonës së Konispolit në Sarandë u përballën me një dëm të madh ekonomik, për shkak të një stuhie breshëri. Sipas deklarimeve të tyre në media, rreth 30% e prodhimit të agrumeve u dëmtua, ndërsa tek ullinjtë, dëmi vlerësohet edhe më i madh.

 

E njëjta situatë ndodhi edhe me fermerët e rrethit të Korçës ku si pasojë e kushteve atmosferike pjesa dërrmuese e prodhimit të mollëve shkoi dëm.

 

Breshëri i shtatorit ishte shembulli i fundit i rreziqeve të mëdha ndaj të cilave ekspozohet sektori bujqësor dhe që shkaktojnë periodikisht dëme.

 

Kur nuk është breshëri, mund të jetë përmbytja, ngrica, thatësira apo zjarri.

 

Arsyeja pse fermerët shqiptarë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dëmit ekonomik është mungesa, thuajse totale, e sigurimeve në bujqësi dhe më tej.

 

Bujqësia është një sektor me rrezik shumë të madh, sepse është e ekspozuar ndaj faktorit natyror dhe faktorëve të tjerë, si sëmundje, parazitë, që e bëjnë këtë sektor shumë të brishtë dhe të ndjeshëm.

 

Nëse ndodh një përmbytje, thatësirë, ngricë, etj., dëmi mund të jetë shumë i madh. Duke qenë sektor me rrezik të lartë, edhe primi i sigurimit duhet të jetë i lartë. Kjo nuk është përvoja jonë, por kjo është përvoja e të gjitha vendeve të tjera, që operojnë me sigurimet në bujqësi.

 

Sigurimet në bujqësi, përvoja e huaj

 

Tregjet e sigurimeve bujqësore kanë zhvillime të rëndësishme në mbarë botën si rezultat i influencës së shumë faktorëve ndër të cilët përmendim rritjen e kërkesës për prodhime bujqësore, nevojat për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, politikat e zhvillimit dhe të ndikimit të konkurrencës.

 

Tregjet e sigurimeve bujqësore janë institucione specifike që mbështesin mbrojtjen nga rreziqet. Por sektori bujqësor asnjëherë s’ka mbetur edhe pa vëzhgimin dhe influencën e politikave publike për ta mbështetur me instrumente nxitës dhe politika zhvillimi.

 

Gjeografikisht nivelin e primeve më të mëdha e zënë SHBA dhe Kanadaja me 62%, vendet aziatike 18%, vendet europiane 17%, vendet e Amerikës Latine 2%, vendet afrikane 1% si dhe Australia dhe Zelanda e Re 1%.

 

Vetëm në Indi gjenden 28 milionë ekonomi bujqësore të siguruara.

 

Ndër programet e para siguruese në eksperiencat e vendeve të përparuara dallohet krijimi “Federal Crop Insurance Corporation” në SHBA, në vitin 1938.

 

Një promotor me tradita ndër më të hershmet në fushën e sigurimeve janë vendet e BE, ku spikasin eksperiencat e Francës, Italisë, Spanjës etj. Treguesit evidentojnë se rreth 69% të fermerëve gjermanë përdorin sigurimin e korrjeve, po kështu edhe 59% e fermerëve spanjollë.

 

Primi i Sigurimit

 

Sipas informacioneve nga shtetet e tjera, primi i sigurimeve në bujqësi shkon midis 3% dhe 8% e vlerës së dëmit të mbuluar. Ky prim është shumë më i lartë krahasuar me sektorët e tjerë të sigurimit. Me kosto kaq të larta, fermerët është e vështirë të sigurohen vullnetarisht, ndaj ky treg është pothuajse 0.

 

Përveç kësaj, primi është i lidhur shumë edhe me numrat. Sa më shumë fermerë të jenë të siguruar, aq më shumë do të ulet primi.

 

Një tjetër problem është fakti se, politikat vazhdojnë të ushqejnë mentalitetin që në rast fatkeqësie, paguan shteti. Kjo nuk është e drejtë moralisht, sepse barra bie mbi taksapaguesit, por edhe jep një mesazh të gabuar, duke mos nxitur krijimin e një kulture sigurimi.

 

Kompanitë e Sigurimeve në Shqipëri

 

Sot, kompanitë e sigurimeve në Shqipëri, pavarësisht riskut të lartë që mbart ky sektor dhe siguracioneve minimaliste, e ofrojnë Sigurimin e Bujqësisë dhe Blegtorisë si një prej produkteve të tyre.

 

SIGURONI TË MBJELLAT DHE FERMAT TUAJA NGA KATASTROFAT NATYRORE, BRESHËRI, PËRMBYTJET APO DHE NGA ZJARRI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *