SHOQATA E SIGURUESVE TË SHQIPËRISË, TAKIM INFORMUES ME STUDENTËT E KOLEGJIT UNIVERSITETAR “BEDËR”
Aktivitetin e parë publik për 2024 Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë e zhvilloi në Kolegjin Universitar Bedër me student të degëve PR, Media dhe Ekonomi.
Sekretarja e Përgjithshme e saj, znj. Mimoza Hajdarmataj ndau me studentët njohuritë bazike dhe të thelluara për konceptin e sigurimeve, bazën normative, strategjinë e PR-it, marrëdhëniet me mediat, lobingjet, targetimin e audiencave etj.
Në bashkëpunim edhe me Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare (AMF), viti 2024 është shpallur “Viti i Edukimit” nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, e cila do të vijojë me takime të tilla edhe në të ardhmen, në gjimnaze dhe universitete të ndryshme të vendit.
Përse është i rëndësishëm edukimi financiar?
Duke qenë se, edukimi është një çështje e një rëndësie kombëtare, tashmë shumë vende të botës e kanë pranuar dhe përfshirë këtë komponent të edukimit financiar dhe mbi sigurimet si pjesë e kurrikulave të tyre shkollore.
Sipas perspektivës së sigurimeve, integrimi i edukimit financiar dhe sigurimet si pjesë e kurrikulave shkollore i mundëson gjeneratave të reja që të marrin një orientim të përgjithshëm, mbi rreziqet e papritura të jetës së përditshme, si aksidente dhe sëmundje, apo mbi çështje të tjera afatgjata të tilla si dalja në pension deri tek llojet bazë të këtyre produkteve dhe shërbimeve financiare për të ditur se si të shmangim këto rreziqe dhe se çfarë duhet të bëjmë për sigurimin e mbrojtjes financiare si në “kohë me diell” edhe në “kohë me shi”.
Përse janë të rëndësishme sigurimet?
Sigurimi nënkupton transferimin e një rreziku të mundshëm, të një humbjeje pasurore dhe/ose jo pasurore nga i siguruari tek siguruesi, sipas një kontrate sigurimi.
Kontrata e sigurimit është akti, nëpërmjet të cilit siguruesi merr përsipër rreziqe të caktuara, përkundrejt pagesës së primit, që me rastin e ndodhjes së ngjarjes së siguruar t’i paguajë të siguruarit, përfituesit apo palës së tretë dëmshpërblimin.
Sigurimi ka rëndësi sepse ka të bëjë me sigurimin e një rrjeti sigurie financiare, që ju ndihmon të kujdeseni për veten dhe ata që doni kur keni më shumë nevojë.