Rëndësia e sigurimeve dhe cilat janë policat e sigurimit të detyrueshme në Shqipëri
Ndërsa vitet ecin, mbarojmë studimet, krijojmë një familje, fillojmë një biznes, rëndësia e sigurimit në një plan afatgjatë rritet.
Sigurimi është i rëndësishëm sepse ka të bëjë me sigurinë financiare, e cila na ndihmon të kujdesemi për veten dhe ata që duam atëherë kur keni më shumë nevojë.
Polica e sigurimit është një kontratë, përmes së cilës individë ose grupe njerëzish marrin mbrojtje financiare ose dëmshpërblim kundrejt humbjeve që mund të pësohen si pasojë e një ngjarje të papritur apo aksidentale.
Kompanitë e sigurimeve ndërtojnë “pishinën e klientëve”, vlerësojnë rreziqet duke mundësuar pagesa të përballueshme për ata që dëshirojnë që të sigurohen.
Këto polica sigurimi përdoren si mbrojtje dhe garanci financiare nga rreziqet dhe humbjet me natyrë financiare, si të mëdha ashtu edhe të vogla, që mund të rezultojnë në dëmtimin e vet të siguruarit ose të pasurisë/ve të tyre dhe për dëme shkatuar një pale të tretë.
Si ndahen sigurimet në Shqipëri?
Nga pikëpamja juridike, sigurimet ndahen në: Sigurime të Detyrueshme dhe Sigurime Vullnetare.
Sigurimet e detyrueshme janë sigurime të përcaktuara konform ligjeve në fuqi.
Si në çdo vend tjetër të Europës dhe të botës, edhe në vendin tonë, profesione apo aktivitete që paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj të tretëve, janë të detyruara me ligj të bëjnë sigurimin e detyrueshëm ndaj dëmeve që u shkaktojnë palëve të treta.
Rëndësia e sigurimeve të detyrueshme
– Kompesimi i sigurtë i dëmit të palëve të treta
– Siguria që i ofron të dëmtuarit
– Shmang konfliktet sociale midis palëve (të demtuarit dhe shkaktarit të dëmit)
Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit
Ky sigurim përmban:
– Sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti. – Sigurimi i pasagjerëve nga aksidentet në sektorin publik.
– Sigurimi i përgjegjësisë së pronarëve të avionëve për dëmin e shkaktuar palëve të treta.
– Sigurimi i përgjegjësisë së pronarëve të mjeteve të vogla lundruese për dëmin e shkaktuar palëve të treta.
– Policë për Sigurimin e Detyrueshëm të Mbajtësve të Mjeteve Motorike për Përgjegjësine Ndaj Palëve të Treta (MTPL).
Kjo policë lëshohet për mjetet me targa shqiptare, me afat 1 vjeçar, e vlefshme për territorin e Shqipërise.
– Policë Sigurimi Kufitar (Border Insurance Policy).
Kjo policë lëshohet për mjetet me targa të huaja, që hynë në territorin e Shqipërisë dhe nuk kanë Karton Jeshil ose ai nuk e mbulon Shqipërinë. Afati i këtyre policave është i lidhur me kohën e qëndrimit të tyre në vendin tonë, por jo më pak se 15 ditë.
– Karton Jeshil. Kjo policë lëshohet për mjetet që udhëtojnë jashtë territorit të Shqipërisë dhe afati minimal i mbulimit të tyre është 15 ditë e deri 1 vit.
– Policë për Sigurimin e Detyrueshëm nga Aksidentet e Pasagjerëve në Transportin Publik.
Kjo policë lëshohet për mjetet e transportit publik si autobuzë, mikrobuzë, taksi, etj. me afat 1 vit.
POLICA TË TJERA SIGURIMI TË DETYRUESHËM
– Polica e Sigurimit të Përgjegjësisë së Ndërtuesit
Kjo policë është me afat 10 vjet dhe përfitues janë blerësit e apartamenteve, sipas kontratës së shit-blerjes dhe palët e treta.
– Policë e sigurimit të punonjësve nga aksidentet
Kjo policë lëshohet për 1 vit.
– Policë për Sigurimin e Përgjegjësisë Ligjore të Tregtuesve të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të Tyre
Kjo policë mbulon përgjegjësinë ndaj palëve të treta të tregtuesve të naftës e gazit, të tilla si pikat e karburantit, depozitat e naftës e të gazit, dyqanet e shitjes së tyre si dhe të vajrave lubrifikante etj.
– Polica për Sigurimin e Përgjegjësisë Profesionale
Kjo policë lëshohet për disa profesione të veçanta të tillë si noterë, përmbarues gjyqësore, ekspertë e projektues në ndërtim, vlerësues dëmesh në sigurime, ndërmjetës në sigurime, etj., sipas VKM-ve të veçanta.