Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për muajin janar
Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) publikon raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve për muajin janar.
Sipas AMF, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar 2024 kapën vlerën 1,774 milionë lekë, ose 3.62% më shumë se në janar 2023. Gjatë muajit janar 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 104,439 me një rritje prej 8.20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.38% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.62%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.13% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.87% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 608 milionë lekë, ose 8.50% më shumë se në muajin janar 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për muajin janar 2024 kapën vlerën 413 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 17.92% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar 2024 arritën rreth 1,044 milionë lekë, ose 9.31% më shumë se në muajin janar 2023.
Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar 2024, pati një rritje prej 11.33% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 11.16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në muajin janar 2024 pati një ulje prej 1.29% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 19.32% krahasuar me muajin janar 2023.
Produkti Sigurim Kufitar, në muajin janar 2024, pati një rritje 2.52% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar 2023. Edhe numri i kontratave u rrit me 2.35%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar 2024 arritën rreth 730 milionë lekë, 3.55% më pak se në muajin janar 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar pati një ulje me 1.50% krahasuar me muajin janar 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar 2024, patën një ulje me 6.00% kundrejt muajit janar 2023.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar 2024 siguruan mbi 277 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 60.20%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 30.44% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar 2024, vihet re një rritje prej 18.34% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 1.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar 2024, arritën në rreth 158 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 18.05% në krahasim me muajin janar 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar 2024, arritën rreth 171 milionë lekë, ose 5.37% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar 2024 u rriten me 8.50% krahasuar me janar 2023. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 413 milionë lekë, apo 67.98% të totalit të dëmeve të paguara bruto.