AMF zhvillon takim me drejtuesit e shoqërive të sigurimit

Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, zhvilloi një takim me drejtuesit e shoqërive të sigurimit që operojnë në vend.

Takimi kishte për qëllim shkëmbimin e mendimeve dhe vendosjen e piketave të përbashkëta për të avancuar drejt përmbushjes së prioriteteve në sektorin e sigurimeve.

Znj. Kaçi paraqiti një përmbledhje të treguesve të 6-mujorit të parë të 2024 dhe sfidave të së ardhmes.

Nga ana e Autoritetit u vlerësua qëndrueshmëria e tregut të sigurimeve, duke përfshirë rritjen e volumit të primeve të shkruara, diversifikimin e produkteve dhe përparimin drejt digjitalizimit. Përkundër zhvillimeve pozitive, u evidentuan disa sfida kryesore që kërkojnë angazhim të përbashkët mes Autoritetit dhe aktorëve të tregut, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i praktikave të trajtimit të dëmeve dhe pagesat brenda afateve.

Takimi u fokusua gjithashtu në sfidat e përbashkëta, si implementimi i standardeve ndërkombëtare dhe direktivave evropiane, të cilat kërkojnë angazhim dhe alokim të burimeve njerëzore dhe zhvillimin e sistemeve të reja. Në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë në CEFTA, u theksua mbështetja e Autoritetit dhe e shoqërive të sigurimit për përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga shteti shqiptar.

Ky takim është një hap i rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm drejt vizionit të përbashkët dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të sigurimeve në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *