Fjala përshëndetëse e Kryetarit
Të dashur partnerë dhe miq,
Të dashur klientë,
Mirësevini në faqen zyrtare të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë!
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u themelua më 23 janar 2003, Një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por me shumë përpjekje për të qenë sa më afër interesave të konsumatorëve shqiptar. Shoqata jonë është regjistruar si person juridik me Vendim Gjykate Nr. 560, datë 03.03.2003 dhe operon si një organizatë jofitimprurëse.
Aktualisht në Shqipëri vlera mesatare e primeve të sigurimit është rreth 40 euro në vit për person, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit dhe të Europës ku ne aspirojmë të aderojmë është ndjeshëm disa herë më e lartë. Mbi 90 % e primeve të sigurimeve vijnë nga sigurimet e jo-jetës, 70% e të cilave e përbëjnë sigurimet motorrike.
Në rrugëtimin tonë së bashku, ne kemi bërë tashmë disa hapa, por jemi ende shumë larg standardeve dhe praktikave europiane në kulturën e sigurimeve dhe legjislacionin për mbrojtjen e interesave dhe përgjegjësive të konsumatorëve shqiptar.
Misioni i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë është që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë të gjitha çështjeve të një interesi strategjik ndaj të gjithë siguruesve dhe risiguruesve shqiptar në mënyrë të qëndrueshme.
Ne jemi zëri shqiptar i industrisë shqiptare të sigurimit në nivel vendi dhe atë rajonal.
Ne jemi një partner i ndershëm, i besueshëm, transparent dhe një pikë e fortë kontakti për të gjitha institucionet, dhe mbikëqyrësit e tregut financiar.
Ne mbështesim dhe promovojmë standardet më të fundit të sigurimeve dhe risigurimeve, zhvillimin, qëndrueshmërinë, efiçiencën dhe efektivitetin e industrisë shqiptare të sigurimeve për të gjithë anëtarët dhe komunitetin e saj.
Ne mbështesim dhe jemi pararojë e mbulimeve nga risku, duke ndërmarrë masa paraprake mbi sigurinë dhe çështjet financiare në të gjitha sferat e jetës publike dhe asaj private në përputhje me kërkesat dhe standardet europiane në të cilat ne aspirojmë që të integrohemi.
Ne po punojmë që kultura e sigurimeve tek qytetarët shqiptar të bëhet kulturë e jetës së tyre si një mbrojtëse, si një fuqi për rritjen e personalitetit të individit, si një industri mbështetëse e mbrojtëse e investimeve të huaja e vendase, dhe si një garanci për të ardhmen.
Tregu ynë i sigurimeve nga dita në ditë po përmison shërbimin ndaj klientëve veçanërisht në pagesën e dëmeve, duke qenë të shpjetë, të saktë dhe afër interesave të tyre. Në saj të punës së çdo shoqërie, në këtë drejtim, e themi me ‘plotë gojën’ se janë ulur ankesat dhe po rriten vlerësimet mbi transparencën dhe pagesën në kohë të dëmeve.
Ne kemi zgjidhur me kohë dhe me sukses investitorët startegjikë në këtë industri, duke garantuar të ardhmen e saj dhe jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Ne u bëmë anëtarë të Shoqatës së Sigurimeve të Europës – Insurance Europe, duke i garantuar konsumatorëve shqiptar, jo vetëm garanci financiare, por edhe standarde europiane në produktet e ofruara.
Ne shërbejmë si një infrastrukturë për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojës së akumuluar të anëtarëve tanë.
Ne promovojmë besnikëri dhe besim në industrinë e sigurimeve në vend, duke punuar fuqimisht e në mënyrë të vazhdueshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi rolin e siguruesve dhe të risiguruesve në ofrimin një sigurimi të sigurtë ndaj një komuniteti.
Ne mbështesim dhe promovojmë, si ekspertë dhe përfaqësues të zërit të të gjithë industrisë së sigurimit në vend, një treg të hapur dhe konkurrues në përfitim të klientëve shqiptar.
Bazuar në vizionin tonë të qartë, në planet tona strategjike,ne po punojmë te fokusuar drejt një prioriteti shumë të rëndësishëm siç janë sigurimet vullnetare.
Duke ju falenderuar përzemërsisht për besimin dhe besnikërinë tuaj ndaj nesh, dëshiroj që në emër të të gjithë përfaqësuesve të shoqërive të sigurimit në vend dhe të organeve të tyre vendimmarrëse duke ritheksuar edhe një herë se tashmë është fakt që:
Ne nuk jemi një retorikë!
Ne jemi një realitet i prekshëm!
Të sigurohesh do të thotë të veprosh si një qytetar i përgjegjshëm ndaj komunitetit ku jetoni si edhe që t’i gëzoheni një jete më të sigurt, më të paqtë, më të mirë dhe me një të tashme dhe të ardhme të garantuar!
Sinqerisht,
Avni PONARI
Kryetari i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë
