Lajm i mirë! Lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë drejt Maqedonisë së Veriut me sigurimin “Karton Jeshil” 1 vjeçar me çmim të reduktuar


Duke filluar nga data 1 Prill 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë
mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit
“Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 Euro. Kjo
është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor, për
lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve kufitare, pas
hyrjes në fuqi më 1 Shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton Jeshil”
1-vjeçar me Malin e Zi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të
rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë
së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes
ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të
Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa
shqiptare drejt vendeve kufitare.

Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët
shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së
shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton Jeshil” për
autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 Euro, e cila mbulon
territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim mbështet lëvizjen e
qytetarëve duke ulur kostot dhe nxitur shkëmbimet ekonomike me
fqinjin tonë juglindor. Shoqëritë e sigurimit do të ofrojnë në të gjitha
pikat e shitjes policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me afat
vlefshmërie 1-vjeçar për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, si dhe do
të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin Jeshil” me afat vlefshmërie 15-ditor
me çmim 15 euro.
“Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon
përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast
aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

ÇFARË ËSHTË SIGURIMI “KARTONI JESHIL”?

Kartoni Jeshil është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

– Pajisja me “Karton Jeshil” është i detyrueshëm për çdo mjet që udhëton jashtë Republikës së Shqipërisë (përjashtuar Kosovën).

– Mospajisja e siguracionit “Karton Jeshil” ka penalitete ligjore në varësi të vendit ku udhëtoni.

– Mungesa e “Kartonit Jeshil” është edhe shkak ligjor për refuzim të udhetimit nga policia vendase.

– Risku më i madh janë demet që mund ti shkaktohen palëve të treta nga drejtuesi i mjetit.

Në pjesën më të madhe të shteteve nuk ka kufi ligjor për vlerën e dëmshpërblimit, por drejtuesi i mjetit duhet të paguajë vlerën e plotë të dëmit që ai shkakton, që mund të arrijë në miliona euro.

Kohëzgjatja e “Kartonit Jeshil” mund të jetë 15 ditë, 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit, në varësi të ditëve të qëndrimit tuaj jashtë Shqipërisë.

Mos udhëtoni kurrë pa patur më parë siguracionin “Karton Jeshil” me vete pasi një dëm i vogël mund të ketë kosto aq të madhe sa të mos përballohet edhe gjatë gjithë jetës suaj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *