Kosto rekord nga katastrofat natyrore në vitin 2025: Thirrje për ndërgjegjësim mbi sigurimin e pronës në Shqipëri

Një raport i fundit nga kompania ndërkombëtare Willis Towers Watson konfirmon se dëmet nga katastrofat natyrore për vitin 2025 kanë tejkaluar sërish shifrën 100 miliardë dollarë në nivel global për të shtatin vit me radhë.
Ngjarja më e shtrenjtë deri më tani është zjarri shkatërrues në zonën e Los Angeles, ku dëmet e sigurueshme vlerësohen në rreth 40 miliardë dollarë, duke e bërë këtë zjarrin më të kushtueshëm për industrinë e sigurimit në histori. Por ky nuk është një rast i izoluar sezoni i tornadove në SHBA, ciklonët në Australi, zjarret në Korenë e Jugut dhe Japoninë Perëndimore, si edhe erërat më të forta të regjistruara ndonjëherë në Irlandë, janë pjesë e një cikli gjithnjë e më të shpeshtë dhe të shtrenjtë të fatkeqësive natyrore.
Shqipëria nuk është imune ndaj këtyre rreziqeve
Edhe pse në distancë gjeografike nga këto ngjarje, Shqipëria nuk është e paprekshme. Zjarret verore, përmbytjet e shpeshta, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut janë bërë gjithnjë e më të zakonshme. Për më tepër, një pjesë e madhe e popullsisë jeton jashtë vendit dhe lë pronat pa mbikëqyrje për periudha të gjata.
Në këtë kontekst, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë bën një thirrje ndërgjegjësuese për të gjithë qytetarët veçanërisht për emigrantët shqiptarë që të mendojnë seriozisht për sigurimin e banesave dhe pronave në atdhe.
Sigurimi nuk është luks, por nevojë
Të dhënat tregojnë se Shqipëria mbetet një nga vendet me nivelin më të ulët të sigurimit të pronës në Europë, ndërkohë që ndryshimet klimatike dhe fenomenet ekstreme nuk po kursejnë askënd.
Thirrje për veprim dhe përgjegjësi
Për të parandaluar pasojat e rënda sociale dhe ekonomike nga fatkeqësitë, Shoqata fton të gjithë qytetarët të informohen mbi mundësitë e sigurimit të banesës, si dhe të konsultohen me specialistë të fushës për të marrë vendime të zgjuara në kohë.
Sepse ndërgjegjësimi nuk duhet të vijë vetëm pas tragjedisë.