Zjarret dhe turizmi, koha për të parë me kujdes siguracionet! Çfarë duhet të dinë udhëtarët

Pushimet në Greqi, Turqi dhe gjithë pellgun e Mesdheut, përfshirë edhe Shqipërinë shpesh janë në pikëpyetje për shkak të zjarreve shkatërruese. Duhet të dini se si ta minimizoni ndikimin e tyre, të njihni praktikat e rimbursimit, të mos harroni sigurimin në udhëtim dhe mjaft zgjidhje të tjera.
Greqia, Turqia, Spanja, Italia, Franca dhe i gjithë pellgu i Mesdheut, përfshirë edhe vendin tonë janë destinacionet më të njohura të pushimeve në Evropë. Por aktualisht të gjithë këto vende janë përfshirë nga një valë shkatërruese zjarresh për shkak të rritjes së temperaturave në nivele rekord. Shumë turistë dhe udhëtarë po i rishqyrtojnë, ose po i rimendojnë planet e tyre të udhëtimeve dhe pushimeve për shkak të kësaj situate të krijuar.
Opsionet e pushimeve vihen në pikëpyetje ndërsa temparaturat dhe zjarret bëhen gjithnjë e më kërcënuese. Zjarret në destinacionet më kryesore Spanjë, Greqi kontinentale dhe ishuj si Rodosi e Kreta, Turqi, Francë jugore dhe Ballkan kanë krijuar situata të rënda. Nxehtësia ekstreme me temperatura në shifra marramendëse deri në 50°C i kanë intensifikuar flakët duke e bërë të vështirë kontrollin e tyre.
Ndikimi i këtyre zjarreve shkon përtej dëmeve të menjëhershme në pyje e prona. Për turistët që planifikojnë të vizitojnë këto vende të njohura pushimesh, pasiguria për të udhëtuar krijon shumë konfuzion. Udhëtarët që nuk duan të kryejnë më udhëtimet, edhe nëse vendpushimi i tyre nuk është prekur drejtpërdrejt, përballen me mundësi të kufizuara nëse ata nuk kanë blerë që në krye të kohës mbulim shtesë në policat e sigurimit të udhëtimit që përfshijnë posaçërisht edhe shkaqet natyrore.
Si ta minimizojmë ndikimin e zjarreve në planet e pushimeve
Zjarret janë një fatkeqësi natyrore janë përtej kontrollit tonë. Por udhëtarët mund të ndërmarrin hapa për të minimizuar ndikimin e tyre tek pushimet që planifikojnë dhe për të anashkaluar humbjet financiare. Çfarë duhet bërë? Ja disa këshilla për udhëtarët dhe turistët:
- Qëndroni të informuar me njoftimet zyrtare
Kontrolloni rregullisht faqet e internetit me njoftimet zyrtare, aktivizoni njoftimet e emergjencës në smartphone-in tuaj për të marrë informacion në kohë reale për zjarret dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, kushtojini vëmendje lajmeve locale që vijnë nga zonat ku planifikoni të shkoni.
- Kujdes sigurohuni dhe kontrolloni policat e sigurimit në udhëtim
Sigurohuni që polica juaj e sigurimit të udhëtimit përfshin mbulim për anulimet ose vonesat për shkak të zjarreve. Jo të gjitha policat e ofrojnë këtë, kështu që është thelbësore ta verifikoni.
Bëni kujdes sepse shumica e policave nuk mbulon “mosdëshirën për të udhëtuar” për shkak të frikës suaj nga zjarret pa patur një njoftim zyrtar udhëtimi. Gjithsesi duhet që të dokumentoni të gjitha ndërveprimet me linjat ajrore, hotelet dhe operatorët turistikë. Ky dokumentacion bëhet jetik kur paraqisni kërkesa për sigurimet.
- Përgatituni për raste emergjence
Mbani me vete kopje të pasaportës, polisës së sigurimit të udhëtimit dhe kontakteve në rast emergjence. Merrni me vete ilaçe dhe një kuti të ndihmës së shpejtë ku të ketë edhe maska për t’u mbrojtur nga tymi.
- Tregoni fleksibilitet në planet e udhëtimit
Nëse destinacioni juaj preket nga zjarret, kontaktoni linjat ajrore dhe hotelet për të diskutuar opsionet e rirezervimit ose anulimit. Shumë ofrues ofrojnë fleksibilitet gjatë emergjencave. Më e mira është ti shtyni udhëtimin në zona me rrezik të lartë dhe të zgjidhni destinacione të sigurta pushimi.
- Njihuni me të drejtat dhe përgjegjësitë tuaja
Linjat ajrore mund të mos kompensojnë për vonesat ose anulimet për shkak të zjarreve, pasi këto shpesh konsiderohen rrethana të jashtëzakonshme. Nëse keni rezervuar një paketë pushimesh, operatori turistik është përgjithësisht përgjegjës për rimbursimet ose rregullimet alternative.
- Merrni masa paraprake për shëndetin dhe sigurinë
Qëndroni larg rajoneve ku ka zjarre. Nëse jeni atje ndiqni urdhrat e evakuimit. Kufizoni aktivitetet në natyrë gjatë kushteve me tym të lartë. Përdorni maska. Pini shumë ujë dhe qëndroni brenda gjatë orëve të pikut të nxehtësisë.
- Tregoni kujdes financiar
Ruani të gjitha faturat për shpenzimet e bëra për shkak të anulimeve ose vonesave, pasi këto mund të rimbursohen përmes kërkesave të sigurimit. Kini kujdes që disa ofrues mund të ofrojnë kuponë në vend të rimbursimeve. Rishikoni termat dhe kushtet para se të pranoni. Nëse nuk jeni të sigurt për mbulimin ose kërkesat, kontaktoni ofruesin tuaj të sigurimit për sqarime dhe udhëzime.
Politikat e rimbursimit kur pushimet ndërpriten nga zjarri
Paketat Pushimeve: Të Drejtat për Rimbursim
Anulimi nga Operatori Turistik: Nëse operatori turistik anulon pushimet për shkak të zjarreve, udhëtarët kanë të drejtë për një rimbursim të plotë.
Anulimi nga Udhëtari: Udhëtarët mund të anulojnë pa penalizim nëse destinacioni është prekur ndjeshëm nga zjarret.
Afati kohor i rimbursimit: Rimbursimet për paketat e pushimeve të anuluara duhet të kryhen brenda 14 ditëve.
Fluturimet: Kompensimi dhe Ndihma
Rregulloret e BE-së: Sipas Rregullores së BE-së 261/2004, nëse një fluturim anulohet për shkak të zjarreve, pasagjerët kanë të drejtë për rimbursim.
Rrethana të Jashtëzakonshme: Linjat ajrore nuk janë të detyruara të ofrojnë kompensim për vonesat ose anulimet e shkaktuara nga rrethana të jashtëzakonshme, siç janë zjarret.
Kujdesi dhe Ndihma: Pavarësisht nga e drejta për kompensim, linjat ajrore duhet të ofrojnë kujdes, duke përfshirë vakte, pije freskuese dhe akomodim, gjatë vonesave ose anulimeve.
Akomodimi: Politikat e Rimbursimit
Anulimet e Hotelit: Nëse një hotel anulon një rezervim për shkak të zjarreve, zakonisht ofrohet një rimbursim i plotë.
Sigurimi i Udhëtimit: Mbulimi dhe Kërkesat
Anulimi i Udhëtimit: Politikat standarde të sigurimit të udhëtimit mund të mbulojnë anulimet nëse një zjarr i madh e bën destinacionin të pabanueshëm.
Ndërprerja e Udhëtimit: Nëse një udhëtim ndërpritet për shkak të një zjarri të madh, sigurimi mund të mbulojë kostot e papërdorura të udhëtimit dhe shpenzimet shtesë të transportit.
Dokumentacioni: Për të paraqitur një kërkesë, mbani të gjitha faturat dhe dokumentacionin që lidhet me anulimin ose ndërprerjen.
Sigurimet, zgjidhja që kurrë nuk të “le në baltë”
A ka një zgjidhje për ta patur mendjen të qetë në një situatë të tillë? Specialistët e udhëtimeve turistike thonë po! Ata rekomandojnë blerjen e një police sigurimi në udhëtim gjithëpërfshirëse.
Turistët me sigurim gjithëpërfshirës udhëtimi, kostot e shkaktuara për shkak të evakuimeve, urgjencave mjekësore apo anulimit të udhëtimit që vijnë nga zjarret mbulohen sipas politikave standarde të sigurimit të udhëtimit. Sigurisht udhëtarët duhet të dokumentojnë të gjitha ndërveprimet me hotelet, linjat ajrore dhe autoritetet lokale për të mbështetur kërkesat për sigurimet.
Po ashtu për të gjithë rastet e tjera rekomandimi i tyre është që secili udhëtar të kontaktojë me linjën ajrore, operatorin turistik dhe ofruesin e sigurimeve për të gjetur edhe zgjidhje të personalizuara, pasi një mundësi e tillë ekziston.
Të dhënat e fundit nga Komisioni Evropian tregojnë se zjarret në gjithë Evropën kanë djegur mbi 300 mijë hektarë vetëm këtë vit. Kjo është një sipërfaqe dy herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rritja e goditjeve nga zjarret e bën të domosdoshëm mbulimin me një policë sigurimi të udhëtimit. Por, çuditërisht deri më tani shifrat tregojnë se udhëtarët nuk e kanë kuptuar diçka të tillë. Janë me mijëra të tillë që udhëtojnë jashtë vendit pa asnjë mbulim me siguracion, duke qenë plotësisht të ekspozuar përballë rreziqeve dhe emergjencave.