Sigurimi nga zjarri, a ja vlen ta humbësh shtëpinë për 100 euro?

Shtëpia është ndër asetet më të vlefshme që ne kemi. Si e tillë kujdesi për të asnjëherë nuk është i tepërt. Aq më tepër kur tregu ynë i sigurimeve ju ofron mundësinë të jeni të sigurtë për banesën tuaj edhe në rast se ndodh diçka e pafat, siç është zjarri.
Nga problemet me pajisjet e ngrohjes, te aksidentet e gatimit, apo zjarri që vjen nga jashtë si një fatkeqësi natyrore, rastet e humbjeve të shtëpive nuk janë të pakta. Ndonëse nuk ka statistika zyrtare të besueshme dëmet janë në rritje duke qenë se edhe goditjet nga zjarri kanë qenë në rritje për shkak të temperaturave rekord.
Ndaj të jesh i mbrojtur është një ide e mirë – dhe kjo përfshin edhe faktin që duhet të dish se garancinë për këtë e ofron një policë sigurimi.
Policat e sigurimit të banesës, përvoja ndërkombëtare
Kur bëhet fjalë për dëmet nga zjarri, sigurimi i shtëpive zakonisht ndihmon në pagesën e riparimeve në shtëpinë tuaj, strukturat e palidhura në pronën tuaj dhe sendet tuaja. Po ashtu policat e sigurimit mbulojnë riparimin e strukturës së një shtëpie, si dhe të strukturave të bashkangjitura, siç është një garazh.
Zakonisht të quajtura “mbulim i strukturave të tjera”, shumica e policave të sigurimeve të shtëpive ndihmojnë në pagesën e strukturave që nuk janë të bashkangjitura në shtëpinë tuaj, siç janë hambaret, garazhet e shkëputura dhe gardhet.
Po ashtu sigurimi i shtëpive zakonisht shtrihet edhe te paisjet shtëpiake, siç janë elektroshtëpiaket, mobiljet dhe veshjet. Ka raste kur një policë sigurimi mund të mbulojë edhe sigurimin e oborreve. Nëse zjarri godet pronën tuaj dhe shkatërron pemët apo lulishtet, rimbursoheni për një pjesë ose për të gjithë vlerën e tyre.
Në policat e sigurimit nuk ka një formulë të vetme për të gjithë kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kufijve të mbulimit. Nëse mendoni se mund të keni nevojë për më shumë mbulim për të zëvendësuar sendet tuaja nëse ato dëmtohen nga zjarri, mund të të rrisni kufijtë tuaj të pagesës dhe mbulimit.
Kostoja e rindërtimit pas një zjarri mund të mos jetë e barabartë me çmimin që keni paguar për shtëpinë tuaj, pasi kostot e ndërtimit dhe vlerat e shtëpive luhaten. Është e rëndësishme të merrni në konsideratë se sa mund të kushtojë rindërtimi ose riparimi i shtëpisë tuaj me çmimet aktuale.
Në të gjithë policat e sigurimit ka edhe përjashtime dhe siguruesit nuk mbulojnë të gjitha llojet e dëmeve nga zjarri.
Policat e sigurimit të banesës, rasti i Shqipërisë
Të gjithë kompanitë e sigurimeve që operojnë në tregun e Jo-Jetës në Shqipëri ofrojnë sigurimin e banesës si pjesë të paketave të sigurimit të pronës në përgjithësi.
Për të krijuar një ide për vlerën e një police sigurimi sjellim në vëmendjen tuaj se njëra nga këto kompani e ofron policën e sigurimit të shtëpisë nga zjarri dhe tërmeti me çmimin 1 euro/m2 në vit. Kjo do të thotë se një banesë prej 100 metra katror për tu siguruar në një vit kushton 100 euro.
Brenda kësaj police sigurimi i shtëpisë përfshin disa lloje mbulimi:
-E gjithë ndërtesa dhe të gjitha punimet, si mure, dritare, themele e bodrume;
-Mbulimin e pasurive brenda shtëpisë si mobilje, orendi, pajisje, rrobat e çdo gjë që shërben për përdorim në shtëpi.
Dokumentat që kerkohen për sigurimin e shtëpisë apo apartamentit janë:
– Kopje e certifikatës së pronësisë;
– 3-4 foto të shtëpisë nga brenda dhe jashtë.
Qenia e shumë kompanive në treg ka mundësuar konkurencë të plotë jo vetëm sa i takon çmimeve, por edhe për kushtet e tjera që përmban polica e sigurimit të banesës.
Për tu ardhur në ndihmë lexuesve tanë dhe gjithë të interesuarve më posht1% janë linqet e secilës prej kompanive tona që ofrojnë paketën e sigurimit të banesës nga zjarri:
Links
https://sigal.com.al/pasuri-dhe-garanci/sigurimi-i-prones-dhe-pergjegjesise/sigurimi-i-shtepise/
https://intersig.al/service/sigurimi-i-pasurise/
https://www.albsig.al/service/sigurimi-nga-zjarri-dhe-rreziqet-shtese/
https://www.eurosig.al/sq/produkte/sigurimi-i-pasuris%C3%AB-e
https://ansig.al/sigurimi-i-pasurise-2/
https://sigma.al/sq/produkte-dhe-sherbime/sigurimi-i-prones/sigurimi-i-prones/
https://www.atlantik.al/sigurimi-i-prones-nga-zjarri-dhe-rreziqet-shtese/
https://insig.com.al/sig-pas.html
Sigurimi i banesave, çfarë thonë shifrat e AMF
Sipas të dhënave të AMF për gjashtëmujorin e parë të këtij viti paradoksalisht, edhe pse zjarret shtohen, sigurimi i pronës prej tij ka qenë në rënie krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.
Në raportin e AMF thuhet:
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë janar – qershor 2025 siguruan mbi 2,327 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 72.97%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.16% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë janar – qershor 2025, vihet re një ulje prej 1.06% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.35% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janar – qershor 2024.
Megjithatë ka një lajm të mirë, edhe pse vëllimi i primeve ka rënë, numri i kontratave dhe dëmeve të paguara për mbrojtje nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë është rritur nga 28.663 kontrata në 6M e parë të 2024 në 31.342 në 6M e parë të 2025, duke zënë 4.67 për qind të totalit të kontratave në sigurimin e Jo-jetës.
Në vijim edhe shifrat e primeve dhë dëmeve për sigurimin e pronës nga zjarri të ndara sipas kompanive që operojnë në tregun shqiptar:
Primet e Shkruara Bruto dhe Dëmet e Paguara në Sigurimin Zjarri, Forcat e Natyres dhe Dëmtimet e tjera në Pronë
| SHOQËRIA | Vlera e primeve (mijë lekë) | Vlera e dëmeve (mijë lekë) | ||
| 6M1 – 2024 | 6M1 – 2025 | 6M1 – 2024 | 6M1 – 2025 | |
| Albsig | 416,264 | 410,105 | 200,847 | 29,127 |
| Atlantik | 77,383 | 71,656 | 6,797 | 813 |
| Ansig | 21,281 | 29,723 | 31,034 | 12,318 |
| Eurosig | 138,280 | 186,765 | 15,534 | 16,625 |
| Insig | 29,222 | 90,929 | 2,747 | 226 |
| Intersig VIG | 71,402 | 68,309 | 882 | 46,950 |
| Sigal Uniqa Group | 815,274 | 658,598 | 105,365 | 112,859 |
| Sigma Interalbanian VIG | 170,189 | 182,258 | 33,124 | 2,454 |
| TOTAL | 1,739,295 | 1,698,344 | 396,330 | 221,372 |
BURIMI: AMF
Shënim: Renditja e kompanive sipas rendit alfabetik