Anëtarësimi në SEPA, efekti për qytetarët dhe bizneset në Shqipëri

SEPA, Zona Unike e Pagesave në Euro është iniciativë e Bashkimit Evropian, e cila u mundëson individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa elektronike në Euro, në mënyrë të sigurt, të lehtë, dhe efikase, duke ndjekur rregulla të njëjta ndërmjet vendeve anëtare. Megjithatë, sot zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së. Ne thelb heq kufijtë midis pagesave kombëtare dhe ndërkombëtare në euro.

SEPA (Single Euro Payments Area), ose Zona e Unike e Pagesave në Euro, është një sistem që operon në vendet e Bashkimit Europian që prej vitit 2008. Qëllimi i krijimit të kësaj zone të përbashkët pagesash ka qenë lehtësimi i transaksioneve monetare jofizike në vendet e Bashkimit Europian, duke hequr dallimet që mund të ekzistonin midis shteteve anëtare. Ky sistem ka bërë të mundur që transferuat financiare midis shteteve të jenë po kaq të lehta, sa ato brenda një shteti të vetëm.

Në vitin 2016, SEPA përfshiu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por që kanë marrëveshje të veçanta me të, ose janë kandidatë për t’u bërë pjesë e tij. Kështu, SEPA tani ka   41 vende anëtare, përfshirë të gjitha vendet e BE-së dhe disa vende joanëtare si Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, dhe së fundmi, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Në mbledhjen e datës 21 nëntor 2024, Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave mori vendimin të miratojë kërkesën e Shqipërisë dhe të Malit të Zi për anëtarësim e tyre në zonën gjeografike SEPA.

Kështu, Shqipëria u bë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Ky vendim shënon një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin e tregut tonë financiar me atë evropian, por edhe të ekonomisë sonë, pa qenë ende anëtar i Bashkimit Evropian.

SEPA mundëson disa lloje kryesore të transaksioneve, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në sistemin e pagesave dhe tregtinë ndërkufitare:

SEPA Credit Transfer (SCT), transferime standarde të kredive brenda një dite pune. Për shembull, një kompani shqiptare që importon pajisje nga Gjermania mund të bëjë pagesën e faturës brenda ditës, duke shmangur kostot e mëdha të bankave tradicionale dhe kohën e gjatë të përpunimit të transfertave ndërkombëtare.

SEPA Instant (e quajtur gjithashtu SEPA Instant Credit Transfers)  ofron  transferta të menjëhershme në EURO dhe ekzekutohen 24 orë /në 7ditë të javës /365 ditë të vitit dhe mbërrijnë tek përfituesi brenda sekondave. Pagesa SEPA Instant ekzekutohet vetëm, nëse të dy bankat dërguese dhe përfituese janë pjesë e skemës SEPA Instant.

SEPA Direct Debit (SDD), (SEPA Credit Transfer): Pagesa të përsëritura automatike. Për shembull, një klient shqiptar që përdor shërbime streaming ose abonime të ndryshme, si internet ose sigurime shëndetësore në një vend të BE-së, mund të bëjë pagesat mujore pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale çdo herë.

SEPA B2B Direct Debit – Debitime Direkte SEPA B2B Shërbim i dedikuar për bizneset. Një kompani shqiptare që furnizon produkte për një partner gjerman mund të vendosë pagesa automatike për çdo porosi të dërguar, duke shmangur vonesat dhe garantuar një fluks të qëndrueshëm të pagesave.

Konkretisht Për të kryer pagesa nëpërmjet SEPA, duhet të plotësohen dy kushte kryesore: Dërguesi dhe pranuesi i transferimit duhet të jenë nga vendet anëtare të SEPA dhe transaksioni duhet të kryhet me monedhën euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *