“Grua e shëndetshme, shoqëri e sigurt!”/ Shoqata e Siguruesve bashkon gazetarët me mjeken senologe në nder të Tetorit Rozë
Në kuadër të fushatës ndërkombëtare Tetori Rozë, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë organizoi një takim informues me gazetare të medias shqiptare dhe mjekes senologe Irena Gusho, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe masave parandaluese ndaj kancerit të gjirit.
Në fjalën e hapjes, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës, znj. Mimoza Hajdarmataj, theksoi rolin jetik që media ka në edukimin e publikut:
“Gazetaret, si misionare të informimit dhe së vërtetës, kanë një rol kyç në përçimin e mesazheve të ndërgjegjësimit dhe në luftën kundër tumorit të gjirit.”
Ajo nënvizoi se gratë, vajzat dhe nënat duhet ta prioritizojnë shëndetin e tyre, jo vetëm për mirëqenien personale, por edhe për përgjegjësinë morale ndaj fëmijëve dhe familjes:
“Një grua dhe nënë e shëndetshme është themeli i një familjeje solide dhe i një shoqërie të sigurt,” u shpreh znj. Hajdarmataj.
Ndërsa mjekja senologe znj. Gusho, me eksperiencë të gjerë në fushën e patologjive të gjirit, vuri në dukje rëndësinë e vetëkontrollit dhe heqjes së tabuve mbi shenjat e para të tumorit. Sipas saj, ekzaminimet periodike — përfshirë ekon e gjirit, mamografinë dhe protokollet shoqëruese — mbeten faktorët kryesorë për diagnostikim në fazat e hershme, ku trajtimi ka përqindje të lartë suksesi.
“Frika dhe perceptimet e gabuara e shtyjnë shumë gra të hezitojnë për kontrolle. Ky mentalitet duhet të ndryshojë. Sa më herët të diagnostifikohet një tumor, aq më i suksesshëm është trajtimi dhe aq më e madhe bëhet jetëgjatësia e pacientes,” theksoi mjekja.
Pas sesionit informues, gazetaret ngritën pyetje mbi specifikat e diagnostikimit, analizat, mënyrat e trajtimit dhe protokollet klinike, duke shfaqur interes të lartë profesional.
Në mbyllje, përfaqësues të Shoqatës së Siguruesve ritheksuan angazhimin në fushata që synojnë mbrojtjen e shëndetit të gruas gjatë gjithë vitit:
“Shoqata e Siguruesve qëndron pranë grave, nënave dhe vajzave të këtij vendi në çdo nismë që lidhet me edukimin shëndetësor dhe ndërgjegjësimin publik. Sepse shëndeti i gruas vlen mbi gjithçka.”