Moti ekstrem rikthen vëmendjen te sigurimi i pronës! Sa të mbrojtur janë banorët?
Pas stuhive dhe reshjeve të dendura që goditën fundjavën e kaluar disa zona të vendit, dëmtimet në banesa, biznese dhe infrastrukturë rikthyen debatin për ndjeshmërinë e lartë të Shqipërisë ndaj fatkeqësive natyrore. Rrëshqitjet e tokës në Pukë – Fushë-Arrëz, përmbytjet lokale në Vau të Dejës, si edhe erërat e forta në Gjirin e Durrësit që pezulluan aktivitetin e peshkimit janë shembuj tipikë të rrezikut sezonal që çdo vit bëhet gjithmonë e më prezent. Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi ekonomik mund të jetë i ndjeshëm në zona ku pronat dhe aktivitetet tregtare mbeten pa mbrojtje financiare. Në raste fatkeqësish, qytetarëve u duhet kohë, mjete financiare dhe shpesh ndërhyrje institucionale për të rikthyer funksionalitetin e pronës së dëmtuar.
Vlerësimet e riskut tregojnë se humbjet e mundshme nga një fatkeqësi e madhe natyrore, si një tërmet me periudhë kthimi rreth 250 vjet, mund të arrijnë rreth 2.08 miliardë euro vetëm për pronën dhe infrastrukturën. Një analizë teknike e rrjetit rrugor thekson se 84 për qind e dëmeve të mesme vjetore lidhen me përmbytjet lumore, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes rrëshqitjeve të tokës dhe tërmeteve. Gjatë viteve të fundit, dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive, rrëshqitjet e tokës, përmbytjet dhe breshëri janë shtuar si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke i vendosur qytetarët dhe bizneset përpara kostove të papërballueshme. Megjithatë, niveli i sigurimit të pronës në Shqipëri mbetet i ulët krahasuar me vendet e rajonit, ndërkohë që ekspozimi ndaj rreziqeve natyrore është ndër më të lartët në Ballkan.
Paketat e sigurimit për banesat dhe bizneset ofrojnë mbrojtje financiare ndaj rreziqeve si përmbytjet, rrëshqitjet e tokës, erërat e forta dhe stuhitë, breshëri, zjarret e shkaktuara nga rrjeti elektrik dhe dëme të tjera klimatike. Këto produkte janë të personalizueshme dhe mund të përshtaten sipas zonës gjeografike, tipit të ndërtesës dhe nivelit real të riskut, duke garantuar balancë optimale midis primës dhe mbulimit. Sigurimi i pronës lejon rimëkëmbje më të shpejtë financiare, planifikim ekonomik afatgjatë, mbrojtje ndaj pasigurive klimatike dhe siguri për aktivitetin tregtar. Ai shpesh ofron edhe këshillim risku dhe masa parandaluese që ndihmojnë pronarët të ulin ekspozimin ndaj dëmeve.
Nëse deri dje sigurimi konsiderohej opsional, sot ai shihet si zgjidhja më e përgjegjshme financiare. Për qytetarët që jetojnë pranë lumenjve, zonave kodrinore, vijës bregdetare apo në qytete me densitet të lartë urban, mbrojtja ndaj fatkeqësive natyrore është investim me kthim të garantuar.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë apelon qytetarët dhe bizneset që, përveç masave parandaluese, të konsiderojnë seriozisht mbrojtjen ligjore dhe financiare që ofron sigurimi i pronës. Parashikimet klimatike sugjerojnë se rritja e ngjarjeve ekstreme do të vazhdojë në vitet në vijim, ndaj informimi dhe mbrojtja e sotme shmang pasojat e nesërme.
