Sigurimi në vendin e punës, dinjitet për çdo punonjës

Një aksident me pasojë vdekjen e një 62 vjeçari është regjistruar paraditen e sotme në një prej minierave të Martaneshit.
Viktimë ka mbetur shtetasi Sulejman Kurti, 62 vjeç, administrator i një prej subjekteve minerare në zonë, “Ervini shpk”.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka marrë në pyetje stafin teknik të kompanisë si dhe punonjësit e pranishëm në momentin e aksidentit fatal, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vazhdim.
Ky rast tragjik vë në pah domosdoshmërinë e ndërmarrjes së veprimeve efektive për mbrojtjen e punonjësve, jo vetëm përmes përmirësimit të kushteve të punës, por edhe përmes forcimit të instrumenteve financiare që ndërmarrjet mund të vendosin për të garantuar mbrojtjen e stafit të tyre.
Në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare për vitin 2023 u evidentuan 102 incidente serioze në vendet e punës, në të cilat u identifikuan 115 autorë të shkeljeve të rregullave të mbrojtjes në punë.
Në pesë vitet e fundit, nga viti 2018 deri në 2023, janë regjistruar 194 humbje jete në vendet e punës.
Përballë këtij shqetësimi të vazhdueshëm, produkti i sigurimit vullnetar të punonjësve nga aksidentet merr përmasa të rëndësishme: ai mbulon humbje jete, paaftësi të përhershme, paaftësi të përkohshme, si dhe shpenzime mjekësore, të gjitha të cilat nëse nuk përballohen nëpërmjet një policë sigurimi, mbeten barrë për familjen e viktimës, punonjësin, ndërmarrjen dhe shoqërinë në tërësi.
Sa i përket përfitimeve orientuese, në kushtet e tregut shqiptar, për humbje jete ose paaftësi të përhershme mund të sigurohen vlera të fillimit nga rreth 500 000 Lekë dhe të shkojnë deri në rreth 3.000.000 Lekë në varësi të marrëveshjes me siguruesin.
Kjo shifër tregon se investimi në prim është relativisht i vogël për të mbuluar një rrezik serioz. Për shembull, në një dokument kushtesh të përgjithshme të një siguruesi në grup për punonjësit nga aksidentet, shuma e sigurimit përcaktohet me një tabelë përqindjesh mbi shumën e siguruar: për humbje jete 100% e shumës së siguruar, për humbje të plotë ose të pjesshme të një gjymtyre 75–100% e shumës së siguruar.
Në aspektin e kostos së primit, tregu shqiptar jep shifra orientuese që primet për këtë lloj sigurimi për punonjësit nga aksidente, në varësi të sektorit, volumit të punonjësve, riskut të veprimtarisë, mund të llogaritet në rreth 0,1% deri në 0,35% të limitit të përgjegjësisë.
Kjo do të thotë që për një kompani me 100 punonjës dhe me një policë me limit përgjegjësie të përcaktuar (p.sh. shuma e siguruar) vlera e primës vjetore do të jetë minimale në raport me fondin e sigurimit që mund të mobilizohet për raste fatale.
Për kompanitë, adoptimi i një police të tillë nuk duhet të shihet vetëm si shpenzim, por si pjesë e strategjisë së menaxhimit të rrezikut dhe të mbrojtjes së burimeve njerëzore.
Kur një kompani vepron në sektorë me rrezik të lartë, si industria minerare, ndërtimi, fasoneria, humbja e punonjësve ose ndërprerja e aktivitetit sjell përveç humbjes së jetës, ndërprerje të operacioneve, humbje produktiviteti, rritje kostoje të sigurimeve apo penalitete në regjistrat e sigurimeve dhe reputacion të kompanisë.
Sigurimi i punonjësve nga aksidentet ofron një shtresë shtesë sigurie: në rast fatkeqësie, kompania mund të jetë më e përgatitur financiarisht për të përballuar pasojat, familjat të mos mbeten pa mbështetje, dhe stafit të dallohet një kujdes i shtuar, çka ndikon në moral dhe përkushtim.
Në përfundim, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë i bën apel të gjitha kompanive në Shqipëri që të marrin në konsideratë serioze sigurimin e punonjësve nga aksidentet si pjesë të pakos së përfitimeve të tyre dhe si komponent kyç i mbrojtjes së punës dhe mbrojtjes sociale të punonjësve.
Investimi në një policë sigurimi për punonjësit nuk është vetëm një veprim proaktiv për të përballuar rrezikun, por një shenjë përgjegjësie dhe kujdesi që rrit besimin, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e biznesit. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët, punëdhënës, punonjës, sigurues dhe institucione mund të ndërtojmë një ambient pune ku rreziqet janë të mbuluara, njerëzit ndihen të sigurt dhe bizneset kanë kapacitetin të përballojnë çdo sfidë.