Shoqata e Siguruesve në monitorim të situatës: Nevojë urgjente për masa parandaluese ndaj rrezikut nga moti i keq

Vendi ynë është përfshirë nga kushte të motit të ashpër, të shoqëruara me reshje të dendura dëbore, ngrica dhe shi. Në orët në vijim, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) ka paralajmëruar reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, në qarqet Shkodër dhe Kukës ekziston rreziku për vërshime të lumenjve të vegjël malorë, rrëshqitje dherash, si dhe probleme me përmbytje të lokalizuara. Parashikimet e IGJEO tregojnë se reshjet intensive, veçanërisht në veri dhe jug të vendit, mund të shkaktojnë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Në këto kushte, Shoqata e Siguruesve u bën apel autoriteteve të pushtetit vendor dhe qendror për shtimin e masave në mbrojtje të banorëve në zonat e paralajmëruara për emergjenca civile si pasojë e përkeqësimit të motit. Garantimi i sigurisë në akset rrugore kryesore dhe dytësore kërkon angazhim maksimal nga të gjitha strukturat shtetërore, si dhe nga kompanitë private përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve.
Shoqata thekson rëndësinë jetike që ka për sigurinë e jetës procesi i pastrimit të akseve rrugore nga ngricat dhe hedhja e materialeve antirrëshqitëse, për të rikthyer normalitetin në qarkullimin e automjeteve. Gjatë 48 orëve të fundit, numri i viktimave dhe i të lënduarve rëndë nga aksidentet rrugore ka qenë i konsiderueshëm.
Njëkohësisht, Shoqata e Siguruesve u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve rrugore dhe të shmangin në maksimum lëvizjet e panevojshme.
Shoqata e Siguruesve është në monitorim të vazhdueshëm të situatës, veçanërisht në akset rrugore, dhe garanton qytetarët për bashkëpunim të plotë, duke ofruar informacion dhe udhëzime të nevojshme në funksion të sigurisë së tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *