Për bilancin e rëndë të aksidenteve në fillim të vitit 2026, rritjen e dëmeve dhe ndikimin te qytetarët

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me numrin e lartë të aksidenteve rrugore të regjistruara në ditët e para të vitit 2026, të cilat kanë sjellë pasoja tragjike në humbje jete, dëmtime të rënda shëndetësore dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Këto ngjarje përbëjnë një alarm serioz për sigurinë publike dhe kërkojnë vëmendje të menjëhershme institucionale. Përtej pasojave njerëzore dhe sociale, aksidentet kanë edhe një ndikim të rëndë ekonomik. Sipas vlerësimeve të tregut të sigurimeve, kërkesat për kompensim arrijnë vlera të konsiderueshme, të cilat llogariten në miliona euro, duke ushtruar presion të shtuar mbi sistemin e sigurimeve dhe mbi shoqërinë në tërësi.
Shkaqet e aksidenteve lidhen kryesisht me faktorë njerëzorë, si tejkalimi i normave të shpejtësisë, parakalimet e rrezikshme, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, lodhja gjatë drejtimit, përdorimi i telefonit celular dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit. Megjithatë, kohët e fundit, ndikim të ndjeshëm kanë pasur edhe faktorë të tjerë, si ngricat, gjendja e amortizuar e rrugëve, sinjalistika e pamjaftueshme apo e dëmtuar, si dhe mungesa e mirëmbajtjes në kohë të akseve rrugore, veçanërisht gjatë kushteve të motit të keq. Këta elementë kanë qenë burim i drejtpërdrejtë i disa prej ngjarjeve më të rënda të regjistruara.
Tregu i sigurimeve po përballet aktualisht me një rritje të ndjeshme të dëmeve materiale dhe shëndetësore. Në këtë kontekst, Shoqata vëren me shqetësim edhe një fenomen që dëmton drejtpërdrejt interesin e të dëmtuarve: në disa raste konstatohet përpjekja për rritje artificiale të shkallës së dëmit, ndërkohë që honoraret e përfaqësimit ligjor arrijnë nivele të pajustifikuara, duke ulur ndjeshëm shumën që përfiton realisht viktima.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë respekton rolin thelbësor të profesionit të avokatit, por thekson se dëmshpërblimi duhet të mbetet një instrument kompensimi për viktimën dhe jo objekt përfitimi financiar. Në këtë kuadër, kufijtë ligjorë të arsyeshëm, siç është përcaktimi i një tavanit maksimal për honoraret, synojnë pikërisht mbrojtjen e interesit të të dëmtuarve dhe garantimin që kompensimi të mos cenohet nga kosto të tepruara.
Shoqata rikujton gjithashtu se viti 2026 shënon fillimin e zbatimit të sistemit Bonus–Malus, sipas të cilit drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë aksidente do të përballen me prime më të larta sigurimi në të ardhmen. Ky mekanizëm synon të vendosë një lidhje më të drejtë mes sjelljes në rrugë dhe përgjegjësisë financiare, duke e bërë edhe më të domosdoshëm kujdesin maksimal gjatë drejtimit të mjetit.
Në këtë situatë, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë i bën thirrje institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave urgjente dhe të koordinuara, përfshirë kriposjen dhe pastrimin e akseve rrugore, përmirësimin e sinjalistikës, monitorimin rigoroz të kontratave të mirëmbajtjes, si dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që rrezikon jetën e qytetarëve.
Siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët, që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërgjegjësim të çdo përdoruesi të rrugës.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë
Tiranë, 6 janar 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *