Reagim institucional mbi situatën e përmbytjeve në vend

Përmbytjet kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit, duke prekur rrugë, sipërfaqe të mëdha toke bujqësore, si dhe qindra banesa e biznese. Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale të ndjeshme, ndërsa shumë familje dhe subjekte ekonomike po përballen me vështirësi serioze.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me banorët e prekur nga kjo situatë e rëndë dhe u bën thirrje strukturave të pushtetit vendor, institucioneve përgjegjëse dhe Emergjencave Civile të intensifikojnë angazhimin e tyre për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar mbështetje sa më të shpejtë dhe efektive për komunitetet e dëmtuara.
Në këtë kontekst, Shoqata nënvizon domosdoshmërinë e një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e rreziqeve natyrore, përmes forcimit të masave parandaluese, evidentimit dhe përditësimit të vazhdueshëm të hartave të rrezikut, si dhe planifikimit urban, territorial dhe infrastrukturor të bazuar në këto të dhëna. Marrja e masave paraprake, investimi në parandalim dhe koordinimi ndërinstitucional janë thelbësore për të shmangur situata të përsëritura ku qytetarët dhe bizneset mbeten të pambrojtur përballë fatkeqësive natyrore dhe të lënë në mëshirë të fatit.
Njëkohësisht, Shoqata thekson se sigurimi i pronave, banesave, bizneseve dhe automjeteve përbën një instrument të rëndësishëm mbrojtës dhe një garanci shtesë për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë financiare të individëve, bizneseve dhe ekonomisë në tërësi.