Historiku i dëmeve dhe çmimi i sigurimit të detyrueshëm motorik: Çfarë ndikon dhe si funksionon

1. Çfarë nënkupton faktori i riskut “Historiku i dëmeve” dhe kujt i aplikohet?
Faktori i riskut “Historiku i dëmeve” është një element që përdoret në përllogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik (MTPL e brendshme) dhe pasqyron sjelljen historike të të siguruarit në raport me dëmet e shkaktuara.
Ky faktor merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit.
Bazuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024, të miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, faktorët e riskut aplikohen për kategorinë e autoveturave në kuadër të produktit të sigurimit të detyrueshëm motorik.
2. Si funksionon faktori “Historiku i dëmeve”?
Faktori “Historiku i dëmeve” zbatohet për të gjithë drejtuesit që kanë në pronësi autovetura dhe klasifikohet në bazë të numrit të dëmeve të raportuara:
Klasa I: Të siguruarit pa asnjë dëm të raportuar gjatë periudhës përkatëse, të cilët përfitojnë ulje të primit të sigurimit.
Klasa II: Të siguruarit me një dëm të raportuar, për të cilët aplikohet rritje e moderuar e primit.
Klasa III: Të siguruarit me dy ose më shumë dëme të raportuara gjatë tre viteve të fundit, për të cilët aplikohet rritje më e lartë e primit të sigurimit.
Ky sistem synon të shpërblejë sjelljen e kujdesshme në drejtim dhe të reflektojë në mënyrë të drejtë nivelin e riskut.
3. Cilët janë faktorët kryesorë të riskut që ndikojnë në primin e sigurimit?
Sipas Rregullores nr. 156, faktorët kryesorë të riskut që përdoren në përllogaritjen e primit të sigurimit MTPL janë:
Historiku i dëmeve – një historik pa dëme reflektohet me ulje të primit, ndërsa një historik me dëme shoqërohet me rritje të tij.
Fuqia motorike – mjetet me fuqi më të vogël motorike tarifohen më pak se ato me fuqi më të madhe.
Mosha e të siguruarit – drejtuesit e moshës 18–21 vjeç tarifohen më tepër.
Eksperienca në drejtimin e mjetit – drejtuesit me eksperiencë deri në dy vite tarifohen më lart.
Përdorimi i mjetit – mjetet në pronësi të subjekteve tregtare tarifohen më tepër se ato në pronësi të individëve.
Qarku i regjistrimit – mjetet e regjistruara në qarqet Berat, Dibër dhe Kukës tarifohen më pak krahasuar me qarqet e tjera.
Vjetërsia e mjetit – mjetet më të reja tarifohen më pak se mjetet e vjetra.
4. Ku mund të gjenden koeficientët dhe përllogaritësi i primit?
Shoqëritë e sigurimit, anëtare të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, publikojnë në faqet e tyre zyrtare:
tabelat e koeficientëve për faktorët e riskut
shembuj praktikë të zbatimit
përllogaritës online për primin e sigurimit
Këto mjete synojnë rritjen e transparencës dhe informimin e konsumatorëve.
5. Si mund të kontrollohet historiku i dëmeve?
Çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë pranë shoqërisë së sigurimit pasqyrën e historikut të dëmeve dhe klasën e “Historikut të dëmeve” që i është aplikuar.
6. A lidhet historiku i dëmeve me mjetin apo me drejtuesin?
Sipas rregullores në fuqi, faktori “Historiku i dëmeve” lidhet si me të siguruarin në emër të të cilit është mjeti, ashtu edhe me shkaktarin e aksidentit, edhe në rastet kur ai nuk është i shënuar në policën e sigurimit.
7. Ku mund të ankohen qytetarët?
Për çdo parregullsi qytetarët mund të ankohen pranë:
a) Pranë shoqërisë së sigurimit
b) Nëse nuk zgjidhet, tek AMF: amf@amf.gov.al