Dëmet e paguara në tregun e sigurimeve u rritën 5 herë më shumë se të ardhurat nga primet

Tregu i sigurimeve në muajt e parë të vitit 2026 ka shfaqur një tendencë krejt të re, ku dinamika e dëmeve po tejkalon ndjeshëm ritmet e rritjes së të ardhurave. Të dhënat e AMF për periudhën janar–shkurt 2026 tregojnë qartë se segmenti i sigurimeve të Jo-Jetës – që mbetet dominues në treg – po përballet me një përshpejtim të fortë të pagesave të dëmeve, ndërkohë që primet po rriten me ritme më të moderuara.

Sipas tabelave zyrtare të tregut, primet e shkruara bruto për sigurimet e Jo-Jetës arritën në rreth 3.56 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit 2026, me një rritje prej vetëm 3.31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të kundërt, dëmet e paguara bruto u rritën ndjeshëm më shpejt, duke arritur në rreth 1.29 miliardë lekë, ose +15.91% në terma vjetorë.

Screenshot

Ky hendek mes rritjes së dëmeve dhe primeve sinjalizon një presion të shtuar mbi fitueshmërinë e kompanive të sigurimit, veçanërisht në segmentin kryesor të tregut – sigurimet e detyrueshme motorike (TPL).

Një nga faktorët kryesorë që po ndikon këtë zhvillim është zbatimi i sistemit bonus-malus. Ky mekanizëm, që synon të shpërblejë drejtuesit korrektë dhe të penalizojë ata me histori aksidentesh, po reflektohet tashmë në treg. Sipas vlerësimeve, rreth 96% e drejtuesve të mjeteve përfitojnë bonus, duke paguar prime më të ulëta për sigurimin TPL për shkak të mungesës së dëmeve.

Screenshot

Në terma praktikë, kjo do të thotë se pjesa dërrmuese e portofolit të sigurimeve motorike po përballet me ulje çmimesh ose, në rastin më të mirë, me “ngecje” të tyre. Duke qenë se TPL përbën peshën kryesore të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës, efekti i bonus-malus po përkthehet drejtpërdrejt në një frenim të rritjes së primeve të shkruara bruto në nivel tregu.

Nga ana tjetër, dëmet nuk ndjekin të njëjtën logjikë. Rritja e tyre lidhet me faktorë të tjerë, si frekuenca e aksidenteve, kostoja e riparimeve dhe inflacioni në pjesë këmbimi dhe shërbime. Si rezultat, ndërsa të ardhurat po rriten me ritme modeste, detyrimet e kompanive ndaj klientëve po zgjerohen shumë më shpejt.

Ky zhvillim po ndryshon ekuilibrat e tregut. Mbetet për t’u parë sesi do të jenë këta tregues për muajt në vazhdim, por deri tani një gjë është e qartë: efekti i bonus-malus ka nisur të ndihet realisht në treg, duke zhvendosur balancat mes të ardhurave dhe kostove në industrinë e sigurimeve. /Marrë nga ekofin.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *