Ndryshimet klimatike dhe sektori i sigurimeve – Një pasqyrë në dritën e zhvillimeve europiane

Ndryshimet klimatike janë një realitet i përditshëm që ndikon gjithnjë e më shumë shoqëritë dhe ekonomitë në të gjithë Evropën, përfshirë edhe Shqipërinë. Intensifikimi i fenomeneve ekstreme si përmbytjet, stuhitë, thatësirat dhe temperaturat e larta paraqet sfida të rëndësishme për të gjitha sistemet sociale, ekonomike dhe institucionale.

Në këtë kontekst, sektori i sigurimeve luan një rol të rëndësishëm si ofrues mbrojtjeje ndaj pasojave të motit ekstrem dhe si mbështetje për përshtatjen ndaj një mjedisi gjithnjë e më të pasigurt.

Në raportin e saj për vitin 2024–2025, Insurance Europe – organizata që përfaqëson industrinë evropiane të sigurimeve – thekson se adresimi i rreziqeve klimatike kërkon një qasje të përbashkët, të mirëkoordinuar dhe të strukturuar mes sektorit publik dhe privat.

Të dhënat tregojnë se që nga viti 2020, humbjet e mbuluara nga sigurimet kanë kaluar shifrën prej 100 miliardë dollarë në vit. Parashikimet për vitin 2025 flasin për një rritje të konsiderueshme të këtyre kostove, duke kaluar mbi 200 miliardë dollarë në vit.

Gjithashtu, viti 2024 shënoi për herë të parë tejkalimin e kufirit 1.5°C të rritjes së temperaturës mesatare globale në krahasim me nivelet para-industriale – një zhvillim që konsiderohet si sinjal paralajmërues për të gjithë aktorët institucionalë dhe ekonomikë.

Në raportin e saj, Insurance Europe vë në dukje nevojën për një paketë të integruar masash që përfshin:

  • politika publike të qarta dhe afatgjata;

  • angazhim dhe inovacion nga sektori privat;

  • përfshirje aktive të publikut në proceset e parandalimit dhe përshtatjes.

Në këtë kuadër, sigurimet nuk kufizohen vetëm në mbulim financiar të dëmeve, por mund të japin kontribut përmes çmimit të riskut, promovimit të investimeve në infrastrukturë të qëndrueshme, dhe orientimit të kapitalit drejt zgjidhjeve afatgjata dhe të përgjegjshme.

Për më tepër, partneritetet publike-private shihen si mekanizma efektivë për menaxhimin e rrezikut, me kusht që të jenë të qarta në ndarjen e përgjegjësive dhe të synojnë parandalimin përpara reagimit.

Në nivel europian, Insurance Europe vlerëson përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur zgjidhje supranacionale në lidhje me rreziqet klimatike. Megjithatë, çdo nismë e re duhet të ndërtohet mbi sistemet ekzistuese kombëtare, të respektojë qasjet lokale dhe të mos minojë modelet që funksionojnë aktualisht, përfshirë partneritetet efektive ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Qëndrimi i Insurance Europe është se sigurimet përfaqësojnë më shumë sesa një produkt financiar – ato janë një pjesë e rëndësishme e strukturës së qëndrueshmërisë sociale dhe ekonomike në Evropë. Me mbështetje të përshtatshme nga politika publike dhe në një kornizë bashkëpunimi, sektori i sigurimeve mund të kontribuojë ndjeshëm në stabilitetin ekonomik dhe në përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *