Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë: Nevojë për një skemë të qëndrueshme sigurimi të banesave nga tërmeti
Shoqata vlerëson nismën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shpreh gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e saj profesionale në hartimin e projektligjit
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me projektligjin e shpallur për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave të qytetarëve nga rreziku i tërmetit.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata e vlerëson këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes financiare të qytetarëve dhe reduktimit të barrës që katastrofat natyrore i shkaktojnë buxhetit të shtetit.
“Në një vend si Shqipëria, e klasifikuar nga industria ndërkombëtare e sigurimeve si zonë me rrezik të lartë sizmik, sigurimi i banesave nga tërmeti është një domosdoshmëri që nuk mund të shtyhet më tej,” – thekson Shoqata në reagimin e saj.
Sipas të dhënave të Shoqatës, tregu shqiptar i sigurimeve ka dëshmuar seriozitet dhe qëndrueshmëri financiare, veçanërisht pas tërmeteve të vitit 2019, kur shoqëritë e sigurimeve dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë të risigurimit paguan mbi 40 milionë euro dëme në kohë rekord.
Ky fakt, sipas Shoqatës, tregon qartë fuqinë financiare dhe profesionalizmin e tregut të sigurimeve në vend, si dhe besueshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë.
Megjithatë, Shoqata nënvizon se drafti aktual i projektligjit kërkon përmirësime, në mënyrë që të sigurojë një skemë të drejtë, të zbatueshme dhe afatgjatë, që garanton mbrojtje efektive për qytetarët, ruan balancën e tregut dhe inkurajon pjesëmarrjen e aktorëve të industrisë.
“Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj profesionale dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse, Shoqatën Evropiane të Sigurimeve dhe partnerët ndërkombëtarë, për ndërtimin e një modeli sigurimi modern, të drejtë dhe të qëndrueshëm,” – thuhet më tej në deklaratë.
Në përfundim, Shoqata thekson rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional për hartimin e një ligji që garanton mbrojtje reale për qytetarët, qëndrueshmëri për tregun dhe siguri financiare për ekonominë shqiptare në rast katastrofash natyrore.

