Dy tërmete në jug të vendit! Një kujtesë për rëndësinë e Sigurimit të Pronës

Dy lëkundje sizmike me magnitudë 3.9 dhe 4.0 të shkallës Rihter janë regjistruar pak pas mesnatës në jug të Shqipërisë, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC). Tërmetet ndodhën në orën 00:58 dhe 00:59, me epiqendër rreth 16 kilometra në jugperëndim të Çorovodës dhe rreth 77 kilometra në jug të Elbasanit.
Lëkundjet u ndjenë në disa qytete të vendit, përfshirë Elbasanin, Beratin dhe zonat përreth Skraparit. Thellësia e tyre ishte vetëm 2.5 kilometra, çka i bën tërmetet të klasifikohen si të cekëta dhe për rrjedhojë më të ndjeshme në sipërfaqe.

Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për dëme materiale apo dëmtime në banesa. Megjithatë, ngjarje të tilla rikujtojnë se Shqipëria mbetet një nga vendet me aktivitetin sizmik më të lartë në rajon, menjëherë pas Turqisë dhe Greqisë, sipas hartës sizmike evropiane.

Kjo realitet shton nevojën për ndërgjegjësim dhe përgatitje ndaj rreziqeve natyrore që nuk mund të parandalohen, por mund të menaxhohen.
Në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmetet, përmbytjet apo zjarret, sigurimi i pronës është një nga mënyrat më efikase për të mbrojtur pasuritë familjare dhe për të garantuar stabilitetin financiar pas ngjarjeve të tilla.

Në Shqipëri, niveli i sigurimit të pronës mbetet ende i ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo ndodh edhe pse kostot janë mjaft të përballueshme — në kryeqytet, një pronë mund të sigurohet kundër zjarrit, tërmetit, përmbytjes dhe shpërthimeve me një tarifë që nis nga rreth 1 euro për metër katror në vit, ndërsa në zonat rurale ky çmim është disa herë më i ulët.

Tradita e pritjes së ndihmës nga shteti pas çdo fatkeqësie natyrore vazhdon të jetë e fortë, por kjo qasje mund të rëndojë ndjeshëm financat publike, pasi në raste emergjente kërkohet devijimi i fondeve nga sektorë të tjerë jetikë, si arsimi, shëndetësia apo infrastruktura.

Ndaj, forcimi i kulturës së sigurimit duhet të shihet si pjesë e përgjegjësisë qytetare dhe një mjet konkret për të garantuar stabilitet ekonomik dhe shëndet social.
Sigurimi nuk parandalon tërmetet, por ndihmon çdo familje dhe biznes të rikthehet më shpejt në normalitet dhe të mos humbasë vlerat që ka ndërtuar ndër vite.

Në një vend me aktivitet të lartë sizmik si Shqipëria, parandalimi fillon me ndërgjegjësim dhe me zgjedhjen për të siguruar pronën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *