Reshjet e dendura në disa zona të vendit: Shoqata e Siguruesve bën apel për kujdes dhe ndjekje të udhëzimeve të autoriteteve

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë po ndjek me vëmendje situatën e rënduar të reshjeve në disa zona të vendit. Shoqata u bën apel banorëve të ndjekin të gjitha udhëzimet e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit dhe strukturave përgjegjëse, duke vënë mbi gjithçka sigurinë e jetës.
Reshjet kanë shkaktuar probleme veçanërisht në Bashkinë Shkodër, Lezhë, Mat dhe Dibër, ku raportohen ndërprerje të energjisë, mungesë furnizimi me ujë dhe vështirësi në qarkullimin rrugor. Situata paraqitet e vështirë edhe në zona të Gjirokastrës, në disa fshatra të Fierit dhe në juglindje të vendit. Përmbytje të kateve të para të banesave, dëmtime të bizneseve të vogla dhe automjeteve janë raportuar kryesisht në Shkodër dhe Lezhë.
Në këtë kontekst, me fenomenet e motit që po intensifikohen si pasojë e ndryshimeve klimatike, rëndësia e sigurimeve të banesave, bizneseve dhe pasurive është gjithnjë e më e madhe. Politikat e sigurimit të kompanive parashikojnë mbulim për përmbytjet dhe dëmtimet nga emergjencat civile.
Shoqata u bën gjithashtu thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë shpejtësinë e lejuar, distancën e sigurisë, të shmangin parakalimet e rrezikshme dhe të përdorin gjithmonë rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Për çdo emergjencë, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112. 