Shpërthimi te ‘Deliorgji’, reagon Shoqata e Siguruesve: Rëndësia e sigurisë dhe parandalimit pas incidenteve me bombulat e gazit

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë reagon pas incidenteve të përsëritura me shpërthimet e bombulave të gazit në vendet publike, duke rikthyer vëmendjen tek nevoja për respektim rigoroz të standardeve të sigurisë dhe për ndërgjegjësim të vazhdueshëm për parandalimin e rreziqeve.
Ngjarje të tilla tregojnë se rreziku mbetet i lartë dhe kërkon përgjegjësi maksimale nga bizneset dhe individët, për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe pronën.
Reagimi zyrtar:
Incidentet e përsëritura me shpërthimet e bombulave të gazit, si ai i ndodhur sot në një piceri pranë kompleksit “Delijorgji” në Tiranë dhe ai i ditëve të fundit në Pedonalen e Shkodrës, rikthejnë me urgjencë vëmendjen tek rëndësia e sigurisë teknike dhe parandalimit.
Fatmirësisht, në incidentin e sotëm nuk janë raportuar dëmtime të rënda në njerëz, por ngjarje të tilla tregojnë se rreziku mbetet i lartë dhe kërkon kujdes maksimal nga të gjithë.
Mungesa e mirëmbajtjes, moszbatimi i protokolleve të sigurisë dhe përdorimi i bombulave të amortizuara vijojnë të identifikohen si shkaqet kryesore të incidenteve të kësaj natyre, duke rrezikuar jetën dhe pronën.
Shoqata e Siguruesve u uron shërim të shpejtë të lënduarve dhe rithekson se siguria duhet të jetë prioritet për çdo biznes dhe individ.
Ne nxisim respektimin e standardeve teknike, kryerjen e kontrolleve periodike dhe ndërgjegjësimin e vazhdueshëm për përdorimin e pajisjeve me gaz.
Po ashtu, përfshirja në skemat e sigurimit mbetet një element kyç i menaxhimit të riskut, si për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ashtu edhe për mbrojtjen e bizneseve nga pasojat financiare të incidenteve.
Siguria fillon me parandalimin. Vetëm me kujdes, përgjegjësi dhe ndërgjegjësim të përbashkët mund të reduktojmë rrezikun dhe të mbrojmë komunitetin.