Çdo ditë një shtëpi e shkrumbuar! Kur zjarri nuk paralajmëron, siguria e banesës nuk mund të presë më

Ngjarjet aksidentale gjatë dy javëve të fundit të dhjetorit kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke arritur një nga nivelet më të larta të frekuencës së tyre. Në mbarë vendin raportohen çdo ditë raste me dëme materiale, shëndetësore, e në disa raste edhe jetësore, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e pronës dhe jetës së qytetarëve.
Gjatë orëve të natës së fundmi, një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Lishan, njësia administrative Luzni, Bashkia Dibër. Fatmirësisht, nga zjarri nuk pati persona të lënduar, ndërsa forcat zjarrfikëse ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shuarjen e flakëve. Megjithatë, banesa u shkrumbua plotësisht. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve, ku dyshimet paraprake flasin për një shkëndijë elektrike.
Ditë më parë, një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Gjirokastër, ku u dogj kati i dytë i një pallati, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Fatura financiare e këtyre dëmeve rezulton e konsiderueshme dhe aspak e lehtë për t’u përballuar nga familjet e prekura. Ende nuk dihet nëse prona ishte e siguruar, pasi autoritetet nuk kanë bërë publike të dhëna të mëtejshme.
Këto raste, gjithnjë e më të shpeshta, ngrenë një pyetje thelbësore: a janë banesat e shqiptarëve të mbrojtura financiarisht përballë rreziqeve të tilla?
Në rast se një pronë është e siguruar, i dëmtuari ka të drejtë të raportojë ngjarjen, të përgatisë dokumentacionin përkatës sipas legjislacionit në fuqi dhe kontratës së sigurimit, dhe shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara nga zjarri apo rreziqe të tjera të mbuluara.
Çfarë duhet të dinë qytetarët?
Janë disa elementë thelbësorë që duhen marrë parasysh:
Kostoja financiare e dëmeve nga zjarri për një banesë të siguruar kompensohet nga shoqëria e sigurimit, duke shmangur një barrë të rëndë ekonomike për familjen.
Sigurimi i banesës kushton relativisht pak, ndërkohë që përfitimet janë shumëfish më të mëdha.
Sigurimi i pronës mund të kryhet edhe online, duke e bërë procesin të thjeshtë dhe të aksesueshëm për të gjithë.
Qytetarët mund të llogarisin paraprakisht çmimin e sigurimit, në varësi të sipërfaqes dhe vendndodhjes së banesës.
Raporti mes primit dhe mbulimit të përfituar është shumë i favorshëm për të siguruarin, duke ofruar mbrojtje reale financiare në raste fatkeqësish.
Një thirrje për ndërgjegjësim
Rritja e rasteve të djegies së banesave në të gjithë Shqipërinë është një sinjal alarmi që nuk duhet neglizhuar. Sigurimi i pronës nuk është një luks, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e familjes dhe pasurisë, veçanërisht në një periudhë kur rreziqet aksidentale po shfaqen me intensitet gjithnjë e më të lartë.
Shoqata e Siguruesve u bën thirrje qytetarëve të informohen, të vlerësojnë rreziqet dhe të marrin masa parandaluese, duke e konsideruar sigurimin e banesës si një akt përgjegjësie dhe sigurie për të ardhmen.